Home | Culture | Vallja e përjetësisë

Vallja e përjetësisë

image
Lasgush Poradeci u lind buzë Liqenit Ohër, në Pogradec, më 27 Dhjetor 1899.

 

 

 

 


Lëndë-e thjeshtë, lënd' ujem,
Pata qënë, do të jem.
Rëndë-e fellë-edhe përjetë,
Jam çudi si kursesi...

 

Marr të rëndët që përdhè.
Marr të fellët nënë dhè.
Po që Lart prej Qënies vetë
Marr e jap përjetësi.

 


Zog i qiejve


Këng' e lasht' e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak...
Do t'j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,
Që nga fund' i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,
Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,
Këng' e ti më ngjan kulluar posi këng' e Zotit-Vetë.
E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpije kryet
Dh' i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.
Asohere-e ndjej si dridhet më një zë pa shëmbëllim,
Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, -- o Zoti im!
E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,
I venitet me-nga-dale syri-i qarë-e bukurosh.
Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
Ndaj çkëlqen nër mija gjyra Vënt' i ti ku pati sbritur,
E pra ja q'i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd o Vënd ku çel junapi!

Haj! bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,
Nëpër bimëzat e tyre po vërrej si qan e tretesh;
Po dëgjoj prej largësive, si nër male-e si nër fusha,
Si nër kopshte jargavanësh dhembshurisht të fryet gusha;
E çdo lis që mban të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitë,
E çdo bar i lulëzuar ças-pas-ças t'i ndjen çuditë...
Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,
Pa pushim të del nga zemra vaj' e tingullit të mjerë;
Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:
Dheut! ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!
E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-a nat-për-natë,
Gjir' i dherit ku rreh jeta të fal breng e përgjëratë:
Se prej mallit që të thyen përmes pamjeve të tija,
Mun në fund të zemrës s'ate ritet fshehur dashurija.
E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë
Kënga jote-e papandehur q' është fjal' e dashurisë.
Ajo ngrihet... ngrihet... ngrihet... dhembshurisht e dyke qarë,
Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.
E kështu ti qan pa rreshtur bukuritë-e dashuritë,
Prej qëpallës së përlotur të pikon një pik' e ngritë.

Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;
Ti fillon t'a rrahish mëndjen, e buçet me shpirt të mitur:
Se ç'gëzim përjetësije! E se ç'mall! E ç'dëshirime
Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!
Prej dëshirës së zhuritur q' i dhe këngëvet, o zog,
Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog...
Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,
Zjarri fërgëllon e ngrihet gjer ne djelli, gjer ne Zoti...
Ti e sheh... dh' aq fort të tundet fund' i zembërës së gjore,
Aqe fshehur të thëthijnë lartësirat qiellore,
Sa, t'u ngritur me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,
Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:
Ha! ç' të zotërovi Drita! Ç' të përshkoj një Gas i ri!
Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!...
Nër paanësi të ndrijnë yjt' e ndezur varg-e-varg:
Ti me mall të paqetuar fluturon larg-e-më-larg...

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! se po t'afrohet Zog' i Qiejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në reze djelli ndrit e në Përjetësi!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00