Home | Culture | Ligji dhe fytyra

Ligji dhe fytyra

image
“Fytyrë e lumtur.” Të dy shkëmbyen përsëri vështrime mes tyre. “Shpjegime”, kërkoi shefi paraprak. “Aso kohe, – thashë, – fytyra ime e lumtur i ra në sy një polici, një ditë kur ishte urdhëruar zi e përgjithshme. Ishte dita e vdekjes së shefit.” “Koha e dënimit?” “Pesë.”

 

 

Heinrich BÖLL

 

 

 

Ndërsa rrija në skelë e shikoja çafkat, një polici që bënte patrullimin në këtë lagje i ra në sy fytyra ime e trishtuar. Isha zhytur krejt në vëzhgimin e zogut krahëlehtë, që ngjitej me vërtik e kridhej mandej poshtë me sulm, në kërkim të kotë të ushqimit; skela ishte e shkretuar, uji i gjelbër dhe i trashë prej vajit të fëlliqur; në lëkurën e tij me kore pluskonin gjithfarë rrangullash të hedhura. Nuk dukej asnjë anije, vinçat ishin të ndryshkur, depot të rrëzuara, madje nuk shiheshin as minj që dilnin në periudhat e zeza në bankinë; zotëronte qetësi. Që prej shumë vjetësh, ishte ndërprerë çdo lidhje me jashtë.

 Unë ia kisha ngulur sytë çafkës e ndiqja fluturimin e saj. E frikësuar, si një dallëndyshe që parandien mot të keq, ajo sillej në afërsi të sipërfaqes së ujit nganjëherë e vetmuar, herë tjetër duke këlthitur guxonte të sulej lart e të puqte me shoqet rrugën e saj. Po të kisha mundësi të shprehja ndonjë dëshirë, atëherë më e dashura do të ishte që të ushqeja çafkat, t’u shkërmoqja thërime e t’u caktoja atyre fluturimeve kuturu një pikë të bardhë, t’u vija një qëllim drejt të cilit të hovnin, të ndreqja këto luhatje këlthitëse udhësh të ngatërruara me anë të hedhjes së një cope buke, që do të paketohej brenda tyre ashtu siç mblidhet një shkulm gjalmesh. Por edhe unë vetë isha gjithashtu i uritur, i lodhur si çafkat, ndonëse i lumtur me gjithë trishtimin tim, sepse ishte bukur të rrije atje me duar në xhepa, duke kundruar shpezët e duke gëlltitur trishtimin.

 Befas, mbi supin tim ra një dorë e rëndë dhe një zë tha: “Ejani me mua!” Njëkohësisht, dora u përpoq të më shkulte e të më tërhiqte pas. Unë qëndrova në vend, e shkunda atë dhe fola qetë:”Jeni i çmendur?!”

 “Shok, – tha ai, gjithnjë pa ia parë fytyrën, – ju paralajmëroj!”

 “Zotëri”, ia ktheva unë.

“Nu ka më zotërinj, – thirri i inatosur. – Ne jemi të gjithë shokë.”

Ai çapiti pranë meje e po më këqyrte në profil, kështu që u shtrëngova ta mbledh vështrimin tim të lumtur endacak dhe ta zhys në sytë e tij të guximshëm; tjetri qëndronte serioz tamam si një buall që s’ka ngrënë prej dhjetë vjetësh asgjë, përveçse detyrës së tij.

“Për çfarë shkaku…”, nisa të flisja.

“Ka alamet shkaku, fytyra juaj e trishtuar”, tha ai.

 Unë qesha, kurse ai shtoi me një zemërim të vërtetë: ”Mos qeshni!”

Në fillim pata menduar se do të ishte i mërzitur, ngaqë nuk kishte arrestuar asnjë prostitutë të paregjistruar, asnjë detar që kolovitej, as hajdutë e zjarrvënës, mirëpo tani vura re se e kishte krejt seriozisht: ai donte të më arrestonte.

“Po përse?”, pyeta i qetë. Përpara se të kujtohesha për ndonjë lëvizje, kyçi i dorës së majtë m’u mbërthye në një byzylyk dhe atë çast e kuptova se isha përsëri i humbur. U ktheva për herë të fundit drejt çafkave endacake, vështrova qiellin e bukur gri dhe u përpoqa të hidhesha nga skela, pasi më dukej më mirë të mbytesha vetë në atë ujë të njelmët e të fëlliqur, sesa të më mbysnin xhelatët diku në ndonjë qoshe ose të më rrasnin përsëri në burg. Por duke më mbërthyer mirë, polici më tërhoqi pranë vetes, aq sa ishte e pamundur të shqitesha prej tij. Pyeta prapë:

“Po përse, përse?” “Ka një ligj, sipas të cilit ju të gjithë duhet të jeni të lumtur.” “Unë i lumtur jam!”, thirra. “Fytyra juaj e trishtuar…”, tundi kokën ai. “Po ky ligj është i ri”, thashë. “Ai ka tridhjetë e gjashtë orë dhe ju e dini mirë se çdo ligj hyn në fuqi njëzet e katër orë pas shpalljes së tij.” “Këtë nuk e dija.” “Më kot shfajësohesh, ligji u shpall pardje në të gjitha altoparlantet, në të gjitha gazetat dhe…, – këtu më vështroi me përbuzje, – ata që nuk lexuan as bekimet e gazetave a të radios, morën njoftim nga komunikatat, që u shpërndanë në tërë rrugët e rajhut. Pra, do të na duhet të marrim vesh se ku i kaluat ju, shok, tridhjetë e gjashtë orët e fundit.”

Ai më zvarriti tutje. Tani e ndjeva se bënte ftohtë dhe se nuk kisha kapotë, vetëm tani u shfaq si duhet uria ime, që hungëronte përpara portës së stomakut, vetëm tani e kuptova se isha edhe i palarë, i parruar e zhelan, ndërkohë që kishte ligje të cilat urdhëronin se çdo “shok” duhet të jetë i pastër, i rruar, i lumtur e i ngopur. Ai më shtynte përpara si një dordolec që i ka dalë boja, që kurrkush më s’ia ka frikën dhe i duhet ndërruar vendi nëpër sinoret e arës. Rrugët ishin të shkreta, largësia deri në rajon nuk ishte e madhe dhe, sido që e kisha ditur se ata do të gjenin një shkak për të më arrestuar përsëri, prapëseprapë po më ndrydhej zemra, pasi ai po më çonte përmes vendeve të rinisë sime, që kisha menduar t’i vizitoja menjëherë pas soditjes së skelës: kopshtet me gëmusha të harlisura nga mungesa e sistemimit si dhe me shumë rrugëkalime, tani kishin ndërruar, ato kishin marrë forma katërkëndshe e ishin destinuar për Lidhjen Kombëtare, e cila pikërisht prej aty niste marshimet të hënave, të mërkurave e të shtunave. Vetëm qielli e ajri kishin mbetur si më parë, si në ato ditë kur zemra ime ishte plot ëndërrime.

 Teksa ecnim, aty-këtu pashë se në disa kazerma dashurie ishte varur tashmë shenja shtetërore për ata që të mërkurën kishin radhën të kënaqeshin me gëzimin higjienik, mirëpo edhe disa mejhane dukej se tani ishin autorizuar për të vënë në hyrje të tyre dhënien e pijes, një gotë birre të stampuar, prej teneqeje, të lyer me fasho të pjerrta me ngjyrën e rajhut: kafe e hapur – kafe e mbyllur – kafe e hapur. Sigurisht, tashmë gëzimi mbretëronte në zemrat e atyre që përfshiheshin në listat shtetërore të pirësve, atyre që dëfrenin me birrë.

 Të gjithë njerëzve sa hasnim, u ngjitej shenja e padyshimtë e qejfit dhe fluidi i hollë i zellit u ndizej edhe më tepër, me të pikasur policin: teksa kalonin shpejt, merrnin një pamje të qeshur në fytyrë. Dhe gratë që ktheheshin nga magazinat, mundoheshin t’u jepnin fytyrave shprehjen e atij gëzimi që pritej prej tyre, sepse ishte i ndaluar një gazmim mbi detyrat e një amvise, e cila mbrëmave duhet ta forconte punëtorin shtetëror me ushqim të mirë. Mirëpo të gjithë këta njerëz shkisnin me shkathtësi larg nesh, kështu që nuk shtrëngoheshin ta kryqëzonin rrugën a të ndesheshin me ne; kudo mbi rrugë, ku shfaqeshin gjurmë jete, zhdukeshin njëzet hapa para nesh, secili mundohej të futej shpejt në një shitore ose të dredhonte në një qoshe, kurse disa parapëlqenin të çapiteshin drejt ndonjë shtëpie të panjohur e të prisnin me frikë pas derës, derisa të shuheshin hapat tanë.

 Vetëm një herë, pikërisht kur kapërcenim një kryqëzim, na hasi një burrë i moshuar, tek i cili dallova shkarazi distinktivin e mësuesit; nuk kishte më mundësi të shmangej dhe atëherë, pasi përshëndeti sipas rregullave policin (ndërkohë, në shenjë bindjeje absolute, e goditi vetveten tri herë me shuplakë), u mundua pra, atëherë, të përmbushte detyrën e tij, atë që kërkohej prej tij, domethënë të më pështynte tri herë në fytyrë, duke më nëmur gjithashtu me nofkën e detyrueshme “Derr tradhtar”. Ai u përpoq ta bënte mirë këtë veprim, mirëpo qëlloi që dita të ishte e ngrohtë dhe gërmazi i tij i tharë, kështu që mua më ranë vetëm ca spërka fare të vockla, pa substancën e duhur, të cilat u përpoqa pa dashje, kundër rregullave, t’i fshija me mëngë, por si përgjigje polici m’u ngjesh në prapanicë dhe më goditi me grusht në mes të shtyllës kurrizore, duke shtuar me zë të qetë: “Shkalla I”, që do të thoshte: “Forma e parë e ndëshkimeve që përdor çdo polic!”.

Mësuesi ia mbathi me ngut. Veç tij, të gjithë ia dolën të na bëjnë bisht. Vetëm se edhe një grua, që po merrte ajrimin e porositur mbrëmave mu përpara kazermës së dashurisë, një biondinë e zbehtë dhe e fryrë, më hodhi një puthje të shpejtë ajrore dhe unë i buzëqesha mirënjohës, teksa polici hiqej sikur nuk kishte vënë re asgjë. Ata janë të detyruar t’ua lejojnë këtyre grave një liri të tillë, që shokëve të tjerë do t’u sillte me siguri ndëshkim të rëndë; arsyeja është se ato japin një ndihmesë të madhe për ngritjen e gëzimit të përgjithshëm punëtor dhe vlerësohen si përjashtim ndaj ligjit, një lëshim, rëndësinë e të cilit filozofi shtetëror Dr.Dr.Dr. Zblajgwth e damkosi në revistën e detyruar për filozofinë (shtetërore) si shenjë e një nisme liberalizmi. Një ditë më parë, gjatë rrugës sime për në kryeqytet, kisha lexuar disa faqe të revistës në klozetin e një shtëpie fshatari, të cilat një student, mbase i biri i fshatarit, i kishte pajisur me shënime fort mendjemprehta.

 Për fat të mirë, arritëm me kohë në rajon, sepse posa ushtuan sirenat dhe kjo do të thoshte se në rrugë do të derdheshin mijëra njerëz me çehren e lumturisë së përmbajtur në fytyrë (pas mbarimit të punës ishte urdhëruar të shfaqej gëzimi, por jo tepër i madh, ndryshe dëshmoohej se puna ishte barrë, ngazëllimi përkundrazi duhej të mbretëronte me fillimin e punës, ngazëllim e këngë), dhe të gjithë këta mijëra do të duhej të më pështynin mua. Sidoqoftë, rënia e sirenës shënonte vetëm mbarimin e punës, por jo daljen në rrugë, që ndodhte pas dhjetë minutash, sepse ndërkohë secili ishte i detyruar të pastrohej me themel, sipas parullës së shefit të athershëm të shtetit: “Lumturi dhe sapun!”.

Dera e rajonit të kësaj lagjeje, një bllok i thjeshtë betoni, vëzhgohej nga dy roja që më dhuruan në kalim “masat fizike” të zakonshme: më goditën vrullshëm në tëmtha dhe i kërcitën tytat e revoleve mbi supet e mia, sipas nenit të ligjit shtetëror nr.1: “Secili polic ka të drejtën t’ia nënshtrojë pushtetit të tij çdo njeri të kapur (ata kuptojnë: të arrestuar), me përjashtim të atij që e kap dhe që do të ketë kënaqësinë të ndërmarrë në hetime çdo masë të përshtatshme trupore.” Ligji shtetëror nr.1, ka këtë kuptim të vërtetë: ”Çdo polic mund të ndëshkojë secilin, duhet të ndëshkojë secilin që fajësohet për keqbërje. Nuk ka pandëshkueshmëri për asnjë shok, por ka mundësi pandëshkueshmërie.”

Tani ne po përshkojmë një korridor të gjatë, të zhveshur, me shumë dritare të mëdha; pastaj hapet automatikisht një derë, sepse rojat kanë lajmëruar ndërkohë arritjen tonë, meqë në ato ditë, kur gjithçka ishte e mirë, e rregullt dhe secili mundohej të fërkohej me sapunin e urdhëruar, në ato ditë pra, arritja e një të kapuri (të arrestuari) shprehte një ndodhi.

 Hymë në një dhomë thuajse të shkretë, ku kishte vetëm dy kolltukë, tryeza e shkrimit e telefoni. Mua më duhej të qëndroja në mes të dhomës, ndërsa polici hoqi helmetën dhe u ul. Në krye nuk ndodhi asgjë; ata bëjnë gjithmonë kështu. Kjo është më e keqja në atë qetësi; unë ndieja si më varej gjithnjë e më shumë fytyra, isha i lodhur, i uritur dhe tani më ishte zhdukur edhe gjurma e fundit e asaj lumturie të trishtuar, sepse e dija se isha i humbur. Pas pak çastesh, hyri pa bëzajtur një njeri i gjatë, i zbehtë, me uniformën kafe të shefit paraprak; u ul pa shqiptuar asnjë fjalë dhe m’i mbërtheu sytë.

“Profesioni?” “Njeri i thjeshtë.” “Lindur?” “A.I. 901”, thashë. “Puna e fundit?” “I burgosur.” Të dy panë njëri-tjetrin. “Liruar kur dhe ku?” “Dje, shtëpia 12, qelia 13.” “I liruar për ku?” “Për në kryeqytet.” “Dokumentin.” Unë nxora nga xhepi dëshminë e lirimit dhe ia zgjata. Ai ia qepi sytë kartës së gjelbër, që niste me përshkrimin e të dhënave të mia.

“Faji që ke bërë atëherë?” “Fytyrë e lumtur.” Të dy shkëmbyen përsëri vështrime mes tyre. “Shpjegime”, kërkoi shefi paraprak. “Aso kohe, – thashë, – fytyra ime e lumtur i ra në sy një polici, një ditë kur ishte urdhëruar zi e përgjithshme. Ishte dita e vdekjes së shefit.” “Koha e dënimit?” “Pesë.” “Sjellja?” “E keqe.” “Shkaku?” “Pjesëmarrje e pamjaftueshme në punë.” “Mbaruam.”

Me kaq, shefi paraprak u ngrit, m’u afrua dhe më theu tamam tre dhëmbët e përparmë: veprim që tregonte se, si përsëritës, unë duhet të damkosesha, një masë shtesë, të cilën nuk e kisha llogaritur. Pastaj ai doli nga dhoma, duke ia lënë vendin një djali trupmbushur, me uniformë kafe të errët: shefi.

 Ata më goditën të gjithë: shefi, mbishefi, kryeshefi, katranosësi dhe katranosësi përfundimtar, krahas tyre edhe polici; përmbushën të gjitha masat fizike siç urdhëronte ligji; dhe ishin po ata që më dënuan me dhjetë vjet për shkak të fytyrës sime të trishtuar, ashtu siç më kishin dënuar me pesë vjet më përpara për shkak të fytyrës sime të lumtur.

 Por unë, paskëtaj, do të përpiqem të mos kem më fytyrë, natyrisht, po t’ia dal të mbahem këta dhjetë vjetët e ardhshëm pranë lumturisë dhe sapunit…

 

 

Përkthyer nga  Dhurim Koçi

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0