Home | Culture | "Gjysmë Ore Joshqiptar"

"Gjysmë Ore Joshqiptar"

image
Do të ndryshohem për gjysmë ore dhe do të bëhem një nga ata italianë të cilët s'kanë as më të voglën ide për Shqipërinë; të cilët s'merren me politikë; nuk dinë veçse të lëvrojnë arat e tyre. Një ditë dikush vjen e më pëshpërit në vesh fjalën "Albania". 


 


 

Nga Nonda Bulka

 

 

 

Vendosa të bëhem gjysmë ore italian. Do të zhvishem krejt nga ndjenjat shqiptare; bile nuk e njoh fare Shqipërinë. Do të ndryshohem për gjysmë ore dhe do të bëhem një nga ata italianë të cilët s'kanë as më të voglën ide për Shqipërinë; të cilët s'merren me politikë; nuk dinë veçse të lëvrojnë arat e tyre. Një ditë dikush vjen e më pëshpërit në vesh fjalën "Albania".
- Che cosa è?1, - i them mikut. Por ai s'më përgjigjet. Dhe unë, për kuriozitet, hap "Nuovissima Enciclopedia Italiana, Milano, 1936, Il edizione".2
Tamam! Kush më mirë se Enciklopedia do të më japë një ide të qartë mbi fjalën "Albania"? Dhe hap në faqen 57; e gjeta fjalën që kërkoja. Dhe ja ç'lexoj:
"Albania: krahinë turke!... prodhon verë, mjaltë, krimba mëndafshi!?... Flitet Frigje(!?), o greko-latine. Raca, klima, besimet, të përziera. Natyrë kryengritëse për Ballkanin, shkëndijë frike për Evropën!"
Ka dhe xhevahire të tjera, por këto janë nga më të çmuarat. Tashti unë, si italian i paditur, mora një ide mbi Shqipërinë; dhe ç'ide!
Pas pak, një ditë befas lexova në fletore se Italia ka lidhur një traktat miqësie me Albaninë (krahinë turke); si? jemi aleatë me shtetin që është gati t'i vërë flakën Evropës?
Dhe e humba toruan... U shkunda, u lëkunda, erdha ndër mend, u bëra shqiptar.
Dhe si i tillë flas tashti: Enciklopedia italiane e vitit 1936, meriton një vend - klasë nderi - në muzeun e Milanos. Eruditi që harroi fjalën "Albania", ka nevojë për mësimin e parë të shkollës fillore. Se kur shkruan diçka mbi këtë tokë, duke pasur trutë mbi hënë, është më mirë ta thyejë, ta bëjë copë-copë atë qerrata penë, se nuk e ka zanat; le të zërë një zanat tjetër, veç jo redaktor i enciklopedisë më të madhe të Italisë.
Redaktori i enciklopedisë le të bëhet bojaxhi, se edhe atje me penë do të punojë; por të paktën le të fëlliqë muret, por jo sedrën e një shteti, qoftë edhe i vogël.
Një nga të metat ose cilësitë (quaji si të duash) tona, është gjaknxehtësia, kur goditemi në nder. Sidomos kur kritikat vijnë nga shpifje, nga mërira ose nga injoranca.
Dikur një erudit serb doli përpara botës letrare dhe tha se shqiptarët kanë bisht. Natyrisht historiani i famshëm, nuk besoj të ketë fituar çmimin e historisë me atë libër. Sot në shekullin XX, 1936, eruditi milanez, del e thotë se s'kemi gjuhë, s'kemi kombësi, se jemi krahinë turke. Mashalla! Jo, xhanëm!
Po sikur ne, nesër të nxirrnim një enciklopedi dhe të përsërisnim për shtetin italian po ato përçartje të eruditit milanez, ç'bëhej atëherë? Lesh e li...


Korrik 1936

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00