Home | Culture | Piedestale për ardhmërinë

Piedestale për ardhmërinë

image
 Demokracia e një shteti shihet në sjelljen e tij ndaj kritikëve. Në 100-vjetorin e lindjes Max Frisch në Zvicër është vendosur në piedestalin e një shenjtori kombëtar. Koha ka treguar që kritikat e tij kundër arrogancës së pushtetit, kundër fuqisë mbytëse të kapitalit, kundër shtetit që nuhat e përgjon qytetarët e tij kanë qenë të sakta dhe të drejta. 
 
 
 


Enver Robelli
 
 



Shënime për një ekspozitë në Berlin me rastin e 100-vjetorit të lindjes së autorit zviceran Max Frisch dhe një thirrje në shkretëtirë që edhe Kosova t’i nderojë e kujtojë personalitetet e kulturës, të cilat s’janë më në mesin tonë fizikisht, por kontributi iluminues i tyre mbetet përherë i paçmueshëm


1.

Është e vetëkuptueshme që Kosova nuk mund të krahasohet as me Gjermaninë, as me Zvicrën apo Austrinë, madje si kanë ecur punët viteve të fundit dhe si po ecin aktualisht s’mund të krahasohet me asnjë vend tjetër të rajonit. Rrjedhimisht, as ky tekst nuk mëton të bëjë ndonjë krahasim, por vetëm të sjellë një shembull që mund të shërbejë si orientim edhe për qëndrimin që mbajmë në radhë të parë si shoqëri dhe në radhë të dytë si shtet ndaj personaliteteve të kulturës, të cilat, ndonëse në rrethana tepër të vështira, dhanë kontribut të madh në iluminimin e shoqërisë. Kontributi i tyre mbetet i paçmueshëm, pa marrë parasysh sa harrestare është shoqëria që vrapon pas konsumit, “të mirave” materiale, bile jo rrallë edhe grykësisë.



2.

Që nga 15 maji 2011 në Zvicër, Gjermani dhe Austri me aktivitete të ndryshme kulturore është duke u kujtuar njëri prej autorëve më të bujshëm të hapësirës kulturore gjermane: Max Frisch. I lindur më 15 maj 1911, Frisch ishte arkitekt, gazetar, eseist, shkrimtar, dramaturg dhe aktivist politik (gjithsesi jashtë politikës zyrtare). Një ekspozitë e hapur më 14 janar në Akademinë e Arteve në Berlin shpalos udhëtimin e Max Frischit si njeri dhe si autor. Romanet e Max Frischit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë. Në veprën e tij ai trajton tema universale: identitetin te romani “Stiller”, dramën familjare te “Homo Faber”, dashurinë mes një plaku dhe një vajze te “Montauk” (me fjalët e Frischit: “Dua ta përshkruaj këtë ditë, asgjë përveçse këtë ditë, fundjavën tonë dhe si bëri vaki, si rrjedhë më tutje. Dua të rrëfej pa shpikur asgjë”). Mbi barrën vrastare të paragjykimeve dhe të racizmit Frisch shkruan në dramën “Andorra”. Si aktivist politik ai ishte kritik i rreptë i mendjengushtësisë së bashkëkombësve të tij. E përbuzte urrejtjen që zviceranët demonstronin kundër të huajve, madje njëherë kishte shkruar se padronët mendjemëdhenj kanë kujtuar se në Zvicër po sjellin vetëm punëtorë që pa bërë zë kryejnë punët më të rënda fizike, “por ja që erdhën njerëz”! 



3.

Pak para vdekjes (4 prill 1991) Frisch u angazhua për shpërbërjen e ushtrisë së Zvicrës dhe aktivisht përkrahu një referendum përkatës. Në fillim të vitit 1991 ai bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë në asnjë kremtim me rastin e 700-vjetorit të themelimit të Zvicrës. Më parë kishte kuptuar, sikur shumë zviceranë me orientim të majtë politik, se ishte mbikëqyrur nga shërbimi sekret dhe të gjitha informatat ishin renditur në një dosje personale. Frisch e quante dosjen e tij “një dokument të injorancës, mendjengushtësisë, provincializmit”. Dhe vazhdonte: “Për këtë mund të bëhet shaka, por unë e quaj punë serioze: gjithë kjo vepër dosjesh sinjalizon vetëdijen e sotme shtetërore. Ndonëse në dosjen time nuk gjendet asnjë shënim mbi sjelljen time antikushtetuese, unë për 43 vjet jam observuar. A thua pse?” Demokracia e një shteti shihet në sjelljen e tij ndaj kritikëve. Në 100-vjetorin e lindjes Max Frisch në Zvicër është vendosur në piedestalin e një shenjtori kombëtar. Koha ka treguar që kritikat e tij kundër arrogancës së pushtetit, kundër fuqisë mbytëse të kapitalit, kundër shtetit që nuhat e përgjon qytetarët e tij kanë qenë të sakta dhe të drejta. Jehona e kësaj kritike kalon kufijtë e Zvicrës, prandaj Frisch nderohet edhe në Gjermani, Austri dhe vende të tjera.



4.

Që në hyrje të ekspozitës në Berlin bie në sy një koleksion librash – janë përkthimet në gjuhë të huaja të romanit “Homo Faber”. Në krye të rendit është përkthimi në gjuhën shqipe. Më poshtë përkthimet në serbisht, maqedonisht, sllovenisht. Gjithashtu të ekspozuara janë edhe përkthimet në kinezisht, gjuhën baske, frëngjisht, rusisht, danisht etj. Një kapitull jo aq i njohur është udhëtimi disamujor i Max Frischit në rajonin e Ballkanit në vitin 1933. Një vit pasi i kishte vdekur i ati Frisch udhëtoi në Pragë për të raportuar për gazetat “Neue Zürcher Zeitung” dhe “Tages Anzeiger” mbi Kampionatin Botëror të Hokejit mbi Akull. Me të përfunduar kampionati ai vazhdoi rrugën për në Budapest, Beograd, Sarajevë dhe Dubrovnik. Në qytetin bregdetar kroat u vendosë në hotelin “Solitudo”. Gjatë qëndrimit këtu mori vendim që tani e tutje t’i përkushtohet shkrimit. Në një letër dërguar të ëmës më 4 korrik 1933 ai shkruante se gjatë udhëtimit kishte “përpunuar besimin në shkathtësitë e veta” dhe tani e dinte se “çka mund të bëj dhe çka jo”. Ai e kishte të qartë se në punën e tij ishte i vetmuar dhe i varur vetëm nga ndërgjegjja e tij. Në Dubrovnik Frisch vendosi të shkruajë romanin e parë.



5.

Përveç prezantimit të veprës ekspozita e Berlinit, e cila më parë është treguar edhe në Zürich, përmban edhe letra, dëshmi, fotografi, incizime dhe gjësende nga jeta e Max Frischit. Bien në sy menjëherë disa palë syze markante, llullat, fotografitë nga udhëtimet e shumta, kartolinat, letrat dërguar fëmijëve nga New Yorku (shkruar në dialektin zviceran, të cilin në Berlin s’e merr vesh pothuaj askush), mes shumë letrave nga botuesi Siegfried Unseld shquhet një porosi inkurajuese për autorin: “...shkruaj, shkruaj, shkruaj”. Nga mesi i viteve 60-të tirazhi i romaneve të Frischit arriti nivele, të cilat shtëpia botuese “Suhrkamp” e Unseldit nuk i kishte parë më herët.



6.

Të tjerët i kujtojnë të vetët. I vendosin në piedestale. U bëjnë nderime të mëdha duke vlerësuar veprat e tyre. E ne? Institucionet kulturore të Kosovës shpesh s’e meritojnë emrin që bartin. Jo pak figura të jetës kulturore janë tërhequr në kullat e tyre imagjinare. Televizioni i ashtuquajtur publik mbetet në nivel të prodhimit të limonadave. Edhe mediet e tjera nuk qëndrojnë fare më mirë. Kultura në Kosovë, por edhe më gjerë në viset shqiptare trajtohet me njerkëri. Rrjedhimisht, piedestalet tona janë të zbrazëta. Sivjet është 75-vjetori i lindjes së Anton Pashkut, tregimtarit të parë modern të Kosovës, lektorit të vyer dhe intelektualit që fliste me heshtje stoike. Zor se do ta përmend ndokush Anton Pashkun sivjet. Për aq sa mund të hulumtohet në prezantimin në internet të Komunës së Prishtinës kryeqyteti i Kosovës nuk ka asnjë rrugë me emrin e Anton Pashkut. Mungon edhe një bust i vetëm. Nuk është ndryshe as në Prizren. Me mospërfillje pothuaj të njëjtë shoqëria kosovare sillet edhe ndaj veprës së Esad Mekulit, poetit që protestoi me vargje kryengritëse kundër shtypjes së popullit të tij, iluministit që krijoi hapësirë për fjalën e shkruar shqipe, veprimtarit kulturor që themeloi revistën “Jeta e re”, e cila u bë tribunë e autorëve të rinj, që sot janë pleq. Emri i historianit Ali Hadri stolis disa rrugë qytetesh në Kosovë – me kaq mbaron respekti për të. Poeti dhe bohemi Mirko Gashi është harruar. Shoqëria që i harron personalitetet e rëndësishme të kulturës në fakt flet shumë për vetveten, për vlerat e saj të munguara dhe për zbrazëtinë shpirtërore. A do të jetë ndryshe, ta zëmë, në vitin 2016, në 100-vjetorin e lindjes së Esad Mekulit? Ose në vitin 2028 – në 100-vjetorin e lindjes së Ali Hadrit? Apo më 2039 – një shekull pas lindjes së Mirko Gashit? Ose më 2017 – në 80-vjetorin e lindjes së Anton Pashkut? Duhet ngritur piedestale për ardhmërinë, të cilat janë shenja të kujtesës kulturore. Një shoqëri nuk është e plotë vetëm me imazhe të shtrembëruara historike, me heronj të shpifur apo të mbivlerësuar. Kulti i armës duhet t’ia lëshojë ngadalë vendin kultit të kulturës. Atëherë turistët në Prishtinë nuk do të vijnë vetëm për qofte, por do të ndalen të shohin, për shembull, ekspozitën – “Zëri i zemërimit: Në 100-vjetorin e lindjes së Esad Mekulit”.




Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0