image

Jeta kryevepër e Gabriele D’Annunzio

Duaje ëndrrën tënde, edhe kur të mundon...

                                          

Nga Elvi Sidheri

 

 

 

Shumëkush, veçanërisht në Itali, personazhin, jo vetëm letrar, Gabriele D’Annunzio, e ndërlidh me shumë fusha të jetës dhe epokës së tij, që ky njeri i paepur e pati përshtatur me staturën tejet të epërme të karakterit, krijueshmërisë dhe vrullit të tij jetësor.

Në këtë frymë mendimi,ky simbol i Dekandentizmit italian, ngaherë është cilësuar si një personazh i spikatur, lidhur me biografinë e të cilit, padyshim ka gjithnjë diçka të re për të thënë, përkundër viteve e dhjetëvjeçarëve që rrjedhin, dhe emrit të tij që mbetet përherë i lavdishëm.

D’Annunzio do të shquhej qysh në moshë tepër të hershme për një mendjemprehtësi të rrallë, duke shkruar që në moshën 11 vjeçare përmbledhjen me poezi “Primo Vere”, ndërsa më tutje, i joshur pakthyeshëm nga jeta mondane, shkruan romanin e tij të parë “Il Piacere”, duke shpallur botërisht thelbin e tij si estet dekadent, thellësisht i përkushtuar ndaj teprimeve.

I cilësuar nga kushdo si një “Div” i mirëfilltë i kohës së tij (qysh përpara se aktorët e Hollywood ta përvetësonin këtë cilësim paskëtaj), në veçanti për shkak të aventuarave të tij epike dashurore, ku mbetet e paharrueshme lidhja e tij sentimentale me aktoren e njohur të asaj periudhe, të hirshmen Eleonora Duse, sakaq D’Annunzio do t’i kushtohej me tepër vetëmohim edhe sipërmarrjeve të çartura ushtarake (ku do të humbiste njërin sy dhe do të fluturonte sfidueshëm mbi qiejt e Vjenës, ndërkohë që Italia dhe Austro-Hungaria qenë në luftë për jetë a vdekje).

Pas këtyre heroizmave të mirëfillta ushtarake gjatë Luftës së Parë Botërore, pavarësisht moshës së shtyrë, D’Annunzio do të shfrytëzonte pakënaqësinë e ndezur popullore për pasojat e kësaj lufte të tmerrshme, duke prirë në Sipërmarrjen e Fiumes (Rijekës së sotme në Kroaci, atëherë të banuar në shumicë nga italianët), që do të shpinte drejt pushtimit të qytetit nga D’Annunzio në krye të vullnetarëve italianë, duke u pasuar nga krijimi i Shtetit të Lirë të Fiumes, që do të ekzistojë si shtet i pavarur (njohur si i tillë edhe nga SHBA, Franca e Britania e Madhe) mes viteve 1920-1924.

I konsideruar në njëfarë mënyre si pararendës i Fashizmit (ndonëse aspak përgjegjës për degjenerimin e mëtejshëm të kësaj rryme politike nën udhëheqjen e Mussolini-t), krahas Tommaso Marinetti, Gabriele D’Annunzio do të bëhej ndër nënshkruesit e parë të Manifestit të Intelektualëve Fashistë.

Mes veprave të tij të shumta, vlen të kujtohen romanet “L’Innocente” i vitit 1892, “Il Trionfo della Morte” i vitit 1894, si dhe “Le Vergini Delle Rocce” i vitit 1895, por edhe tragjedia “La Figlia di Iorio” e vitit 1903 dhe përmbledhja me poezi “Alcyone”.

Gabriele D’Annunzio do të vdiste në vendbanimin e tij legjendar të njohur si “Il Vittoriale”, një vend i mahnitshëm ku rrezaton tërësisht karakteri krejtësisht i pazakontë i njeriu që e pati sendërtuar dhe banuar këtë vend, në vitin 1938.

Për shkak të përfshirjes me mish e me shpirt brenda situatës dhe rrethanave politike italiane të kohës së vet e kryesisht nga aftësia për të mishëruar thelbësisht gjendjen shpirtërore të popullit italian, D’Annunzio do të meritonte të quhej Il Vate, pra poeti profetik, burimi i frymëzimit thuajse të shenjtë.

Gabriele D’Annunzio, qoftë në letërsi apo në jetën e tij, akoma edhe sot vlerësohet pak a shumë “bardhë e zi”, mes ithtarëve dhe përçmuesve të tij, por askush, përfshirë edhe kritikuesit më të egër, nuk ia mohojnë dot karakterin madhështor. 

E faktikisht, Il Vate do të punonte fort për ndërtimin e mitit të tij prej Mbinjeriu. Si në shumë këndvështrime të tjerë, edhe për lidhjet e tij të njohura apo të fshehta dashurore, miti i D’Annunzio do të përhapej e vagullohej, duke u shndërruar në legjenda të shumta epshore, të vërteta apo të sajuara qofshin.

E rrjedhimisht, stili i të shkruarit, narrativa,poezitë e Gabriele D’Annunzio, por edhe qëndrimet e tij filozofike, ndonëse me raste duken jashtë kohës në të cilën jetojmë, gërshetohen me gojëdhënat popullore që flasin për ritualet dashurore të Vates, për perversionet dhe fobitë e tij të shumta, duke shenjuar brezat letrarë me gjurmët e karakterit, jetës dhe bëmave të këtij njeriu kaq të veçantë.

Çdokush që grishet nga letërsia, nuk arrin dot të mos tronditet nga poetika e D’Annunzio, megjithëse vështirësisht ia kupton filozofinë poetit. Poezia La Pioggia nel Pineto (Shiu në Pyllin e Pishave), jo rastësisht vlerësohet si një poezi teknikisht pa asnjë cen, që gëlon nga tingullimitimet dhe figurat retorike, ku shpërfaqet një talent tejet madhor. 

Por, mënjanë faktit që poezia e Gabriele D’Annunzio veçohet për të qenët përherë tejet burimore, sidomos brendapërbrenda panoramës cazë të sheqerosur të letërsisë italiane të periudhës së tij, ndërkaq në kërshërinë popullore, letërsia dhe mënyra e jetesës së Vates, ndezin kureshtje pandalshëm.

E në fakt, jeta dhe krijimet letrare vështirë të ndahen dot në rastin e D’Annunzio, i cili, siç do të pohonte vetë, jetën e tij synonte ta shndërronte në një vepër arti, duke thënë: “Nevojitet që jetën tonë ta bëjmë siç bëhet një vepër arti. Nevojitet që jeta e njeriut të mençur të jetë vepra e tij e mirëfilltë. Epërsia e vërtetë është pikërisht kjo”. (Shkëputur nga “Il Piacere”).

Thelbi i krijueshmërisë së D’Annunzio, qëllimisht do të mbështetej mbi një projekt jetësor të paimitueshëm nga askush tjetër, që përbëhej nga një mori vendimesh të skajshme dhe të bujshme, nga një mënyrë jetese zulmëmadhe, nga sipërmarrje heroike ushtarake dhe një karakter aspak i rëndomtë. Kështu Il Vate do të shndërrohej jo vetëm në shkrimtar të shquar, por edhe protagonist të jetës kombëtare në Itali, me zotësinë për të ndikuar, si model sjellje, ndaj krejt opinionit publik.

Thelbi i prirjeve të tij artistike dhe jetësore ngërthehet gjithsesi, në dëshirën vendimtare për ta jetuar dhe zotëruar realitetin në tërë shpërfaqjet e mundshme, nxitur nga një nevojë e pashërueshme për shijimin epshor, për gjallërinë e përhershme, për fuqinë dhe energjitë, shtysa këto, që lartësohen në kultin estetizues të Hijeshisë.

D’Annunzio pra, mund të cilësohet si Esteti absolut, sepse ky njeri pati ditur ta përvijonte jetën si kult të artit dhe të bukurës, që do ta sendërtonte jetën si vepër arti të rafinuar e tejet të çmuar duke arritur ta vendoste, përtej çfarëdo norme të tepërt morale, Hijeshinë si vlerë të epërme të jetës së tij.

Gabriele D’Annunzio gjithmonë do ta përçmonte rutinën e botës borgjeze industriale, gjithaq edhe institucionet demokratike dhe parlamentare, të cilave do t’u kundërvinte një koncept aristokratik, përfshirë përçmimin ndaj masave të plebejve. 

Përmbledhtas, D’Annunzio do të lëvronte në thuajse tërë fushat e mendimit artistik-letrar, por edhe në sfera të tjera të veprimtarive politike, majtas apo djathtas, gjithnjë si protagonist. 

 

Duaje ëndrrën tënde, edhe kur të mundon

Duaje sikur të ishte e vetmja

Duaje sikur shpirt të kishte

Duaje dhe tregoji për veten tënde

Duaje dhe kujtoje në qenien tënde

Duaja të shkuarën e saj

Duaja edhe të tashmen sot.

 

Image result for Gabriele D’Annunzio

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00