Home | Culture | Intervistë me Piktorin Arben Brahimaj

Intervistë me Piktorin Arben Brahimaj

image
Është një masë e madhe blu dhe gri. Bluja e detit dhe qiellit dhe grija e argjendtë e ullinjve...

 

Nga Dea J Klosi

 

 

Klosi News: Z.Brahimaj, nëse do të mund ta përfytyronim jetën si një tablo, ç’ngjyra do të përdornit në të? 

 

 

A. B. Qielli do të ishte gjithmonë blu turquase më re të vogla të bardha. Toka do të ishte me ngjyra ku okra dhe jeshilja do përziheshin me tone të lehta kurse rrugët do ishin në blu dhe godinat do të ishin të kuqe. Në rrugë me biçikletë emerald green do ishtë femra më ë bukur në botë. Me një fustan veror jeshil të ngrohtë nga përzierja me të verdhën. Në skarën e biçikletës, përpara timonit, do të kishte një buqetë me lule dielli dhe një helmetë të vjetër spartane. 

 

Klosi News: Z. Brahimaj, a ka ndonjë lidhje qyteti ku ju banoni, me simbolikën tuaj artistike, dhe si do ta përshkruanit këtë lidhje, nesë ka? A mund të na përshkruani një ditë në punishten tuaj të piktorit? 

 

 

A. B. Unë nuk banoj në qytet, por në fshat. Quhet Naardën. 20 minuta me makinë nga Amsterdam. Ka si simbol të njëjtën shqiponjë bizantine që përdor dhe Shqipëria në flamur. Ose më mirë ka përdorur në mesjetë. Naarden është një fshat mesjetar plot me cepa të errët ku krijohen forma të papritura. Një fshat ku jetojnë njerëz të shquar të së kaluarës. Njëlloj muzeumi i “Hall of fame”. I kam takuar këta njerëz nëpër festat ku kam qenë i ftuar. I vëzhgoja me kuriozitet. Kisha përpara syve rock star të dikurshëm tashmë të dhjamur dhe me shumë operacionë plastike në fytyrë, lexues lajmesh dhe aktore të plakura që mundohen vazhdimisht të tërheqin vëmendje, shkrimtarë që kanë vite që nuk kanë shkruar dhe që vazhdojnë akoma të flasin për sasinë e lekëve që fituan nga libri i fundit dhe destinacionin sesi u përdorën. Të gjitha mundohen të marrin sa më shumë nga vëmendja që fatkeqësisht u mungon. Në dimër Dëbora e bën këtë fshat akoma dhe më të papritur. Si në dimër dhë në verë unë gjendem në dy nga kafenetë më simpatike të fshatit. Tek njëra i jap mësim në kafen e një shkrimtarje shumë të sëmurë dhe shumë interesante. Tek tjetra vizatoj në momentet e mia të pushimit. Në këto vizatime elementi i vetëm që përdor nga fshati ku jetoj është e papritura dhe ankthi ndaj harresës, ose për ta shprehur pozitivisht; dëshira për vëmendje. 

 

Atelieja imë është në Woerden, një qytezë mesjetar afër Utrecht. Filloj ditën me mësim në atelie. Një grup në ditë (deri në 8 veta) mësojnë këtu të pikturojnë në mënyrë realiste. Nga ora 10.00 deri në 13.00. Po qe se nuk kam workshop në darkë, pjesën tjetër të ditës pikturoj ose vizatoj këtu për veten time. Në pauzë, rreth orës 14.00 shkoj në ndonjë kafene në qendër për t’u shplodhur dhe ... vizatoj ose shkruaj ndonjë gjë. Vazhdoj të vizatoj dhe pikturoj deri në ora 24.00. Gjatë kësaj kohe pauzat e tjera i përdor për t’i rënë kitarës. 

 

 

Klosi News: Cili apo cilët piktorë shqiptarë ju kanë lënë mbresa të veçanta? 

 

 

A. B. Kur isha në lice në Vlorë piktorët që më lanë më shumë mbresa ishin Hiqmet Agolli, për teknikën ë tij virtuozë dhë Hilmi Bani për mënyrën e tij të mësimdhënies si dhë për aspektin e tij të jashtëzakonshëm njerëzor. Të dy i kam patur mësuesit e mij. Më vonë më pëlqeu shumë Agron Bregu. Jam inspiruar shpesh nga pikturat e tij dhe sidomos nga mënyra sesi ai mendonte për artin. Më pëlqejnë shumë vizatimet dhe karikaturat e Agim Sulës, mënyra e jashtëzakonshme sesi e pikturon/interpreton formën Mario Tzavelas dhe hiperrealizmi jashtëzakonisht i ndier i Gëzim Zotos. 

 

 

Klosi News: Si mund të na e përshkruani ju vendlindjen tuaj, dashurinë dhe shpresën për të ardhmen, në fare pak penelata? 

 

 

A. B. Vendlindja ime është Vlora. Është një masë e madhe blu dhe gri. Bluja e detit dhe qiellit dhe grija e argjendtë e ullinjve që nuk ekzistojnë më. Nesë do ta imagjinoja Vlorën në mënyrë surrealiste do të ishte një dorë e zgjatur për të kapur “majen e çizmes” në Puglia. Por kontakti i dorës me Puglia në një mënyrë osë një tjetër nuk ndodh. Në vend të prekjes krijohen mijëra zogj, që njerëzit përtojnë t’i identifikojnë, që fluturojnë duke klithur tmerrin e faktit se çfarë do të kishte ndodhur sikur dora dhe toka në formën e takes së çizmes do të ishin takuar. Unë shpresoj që të takohen. 

 

 

Klosi News: A shihni ju ndonjë gjë që s’shkon tek piktura e sotme? Ndonjë fjalë për politikën shteterore në lidhje me artet figurative? 

 

 

A. B. Rodain ka thënë se artistit i kërcënohen dy fantazma: Artisti që nuk është mjeshtër dhë mjeshtri që nuk është artist. Ne sot jetojmë kohën e mjeshtrit që nuk është artist. Politika në të gjithë botën i shikon artistët si potencial për të përçuar idetë e saj tek masa e madhe. Në kushtet e emergjencave të mëdha (mendo lindja e fashizmit, komunizmit, kërcënimeve serioze të demokracisë etj.) , ky rol është natyrisht një detyrë sociale e artistit. Në kushtet normale artisti duhet të heqi dorë nga të qenit një gazetë e një politike të caktuar. 

 

 

Klosi News: Z. Brahimaj, a keni ekspozuar punime nga koleksioni juaj në Europë, Amerikë apo gjetkë? 

 

 

A. B. Kam ekspozuar në shumë vende. Nuk hartoj CV, pra duhet të mëndoj pak për të bërë listën e vendevë ku kam ekspozuar. Një gjë e them shpejt dhe me siguri. Kam bërë vetëm dy ekspozita personale në Kiel të Gjermanisë në vitin 1992 dhë 1993. Ekspozitat e tjera kanë qenë të gjitha ekspozita ndërkombëtare ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë bota. Hollandë, Austri, Spanjë, Francë, Kinë, Shqipëri. 

 

 

Klosi News: Edhe diçka për dashamirësit, cila është violina juaj e Ingrès? 

 

 

A. B. Kitara është violina ime e Ingrës. 

 

 

Klosi News: Dhe së fundi, cilat janë planet tuaja për të ardhmen, ndonjë ekspozitë brenda apo jashtë vendit? 

 

 

A. B. Në 21 Nëntor 2021 do kem prapë ekspozitë personale, në New York. 

 

 

Klosi News: Ju falemnderit!

 
Image may contain: 4 people, people smiling
 
Image may contain: outdoor, water and nature
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00