Home | Culture | Rënia e Gjirokastrës si Ura e Hoshtevës

Rënia e Gjirokastrës si Ura e Hoshtevës

image
Gjirokastra po bie si Ura e Hoshtevës. Urët bashkojnë qytetërime...

 

 

Nga Eugert Kllapi

Rrugës për në shtëpi bleva një gjysmë buke që ma kishin porositur disa herë pasi, mendje kemi mendje ikën, një kokërr gruri është. Nuk e di pse mu kujtura Gjirokastra, a për mirë a për keq aty më vajti mendja instiktivisht.



 Në qoftë se do të zgjidhja të haja për kënaqësi do të zgjidhja Gjirokastrën. Gjysmën e bukës e bleva por syri im shikon se i kishin hequr dy fije bukë dhe kishin mbështjellë bukur me një qese të tejdukshme. 

Mu kujtua në Greqi, jepnin një fije buke më shumë për të fituar klientelën, këtu një fije buke më pak me të njëjtin motiv, për të fituar klientelën.

Qyteti ia ka marrë anën malit. Shtrirë nga rrëza e lumit të Drinos që nuk u pastrua njehërë e mirë e deri në rrëzë të Malit të Gjerë. Duket si një përrallë mesjetare e vendosur bukur në gur.

Gjirokastra po bie si Ura e Hoshtevës. Urët bashkojnë qytetërime, Gjirokastra po ndan rininë nga pleqtë me një hap vigan. Në qoftë se do e konsideronim si një gur të cmuar do ishte Smeraldi i Jugut, perle e ka pak të quhet. Smeraldi po ta shohësh hollë-hollë të verbon me bukuri, por guri cuditërisht krijon krisje, carje e përsëri qëndron i fortë. 

Edhe Gjirokastra gojë ka plot që flasin e qëndron porsi gur me stoicizmin e saj. Nuk shuhet nga gojët, po nga mjerimi. Nuk dua të flas këtu për bukurinë e saj, kush ka dëshirë këtë për Gjirokastrën nuk do ta gjejë në këtë shkrim, mund të hap Wikipedian dhe kureshtja mbaroi.

 Atë qe e ka e gëzojnë qytetarët dhe turistët që mahniten me shtëpitë e vjetra stil oriental. Ngado që shkojnë nuk shikojnë krisjet e shtëpive që po bien, mundimet e njerëzve që zënë rrugët plot të heshtur me fytyra të krisura, po shtëpitë e restauruara bukur me hijeshi nga bashkia dhe organizmat kombëtare. 



Lakmia e qytetit është kalaja me nam. Sidomos në dimër kalldrëmet të kujtojnë se makinat duhet t’i kenë frenat gozhdë, përndryshe bëhet nami, kjo ndodh dhe për njerëzit që janë mësuar si të ngrihen lart e të lëshohen poshtë në qytet. 

Rrugët janë të ngushta dhe kërkojnë jo vetëm diell. Është karakteristikë e këtij qyteti me stil oriental një lloj hijeshie e rëndë gri. 

Një herë qëndruan zogjtë shtegtare dhe u vu alarmi që duhet pasur kujdes për disa zogj të rrallë që qëndronin në fushat e Drinos.

 Nuk kishin faj, njeriu duket se sa kujdes tregon për natyrën dhe kafshën. Cuditërisht, gjirokastritëve nuk u ngjitej qimja kur dilnin xhiro serbes rrugicave të ngushta dikur, por kohët treguan që Drinoja, lumi i vetëm poshtë bedenave të qytetit kishte mbjellë mal me mbetje inerte gjithfarëshe. Për mos t’ia vënë fajin të gjithë Drinos po ua hedhim edhe pak gjirokastritëve. 

Dikur dhe kalaja kishte mbetje gjithfarëshe si Drinoja nëpër rrugica, dhomëza a mure.

Qyteti është i vendosur bukur në rrugën nacionale midis Kakavijë-Gjirokastrës dhe Gjirokastër-Tepelenës. Rruga tregon se po të bëhet nga të huajt rron simbolikisht edhe 200 vjet me cilësi të mirë.



 Kjo nuk qëndron për Urën e Hoshtevës, që edhe pse u lajmërua ra me nder e lavdi në lumin e Zagories. Zagoritet emigruan e ura nuk duroi dot më, u shemb ‘’si qelqia në verë’’.

 Kjo nuk vlen asgjë për mirëmbajtjen. Shumë shpejt rruga nacionale komunikon me qytetin e Tepelenës. Në qoftë se do të bindesh që njeriu dallohet si trajton natyrën dhe kafshën mund të shkosh në Kakavijë. 

Nga ana e Gjirokastrës duket sikur kthehesh në 1990 ku forma embrionale të cudishme kioskash lulëzonin ngado. Nuk ka WC për udhëtarët, përvecse nëpër lokale. Të tjerët lëshohen rrëpirave të përroit aty afër. 

Nuk të sheh syri një drizë, rruga e prishur, rradhët e gjata, pluhur, njerëz si të zhgërryer me kohën, të vuajtur në sy dhe moderne në veshje. E kundërta ndodh nga ana e doganës greke, asfalti qërohet, drizat shekullore, bari lulëzon, për hallexhinjtë ka disa WC.

 Megjithatë anës rrugës shikon mbetje gjithfarëshe që të kujton se nuk je larg doganës shqitpare, më tutje nuk sheh më mbetje.

Gjirokastra deri më tani thonë familjet që largohen mbahej nga Lazarati. Lazarati ka pasur efekt cudibërës për Gjirokastrën, edhe ata gjirokastritë qytetarë që nuk flasin për pushtetin, që kanë lazaratasit në Gjirokastër i dhanë dorën në cdo pushtet, si politik dhe ekonomik. 

Nuk është pak që një drogë të mbajë një qark të tërë me para, por është e dhimbshme të varesh prej drogës, sic varej Ura e Hoshtevës nga specialistët e Ministrisë së Kulturës. 

Thembra e Akilit të Gjirokastrës nuk është turizmi, ai sjell fitime të mëdha po i mbledh në pak duar. Artizanati tani për tani nuk mbijeton dot vetëm me turizmin që shpërnahet në duarT e pushtetarëve të vendosur bukur në tryeza. 

Thembra e Akilit të Gjirokastrës janë fshatrat. Cuditërisht në mesjetën e vonë fshatrat kanë qënë si qytete, qyteti i Gjirokasktrës ka qënë si fshat para fshatrave. Fshatrat kanë qënë të sistemuara e me ligjësi shoqërore, që nga rruga me kalldrëme që në shumicën e rasteve janë zhdukur tashmë, deri në organizmin e festave. 



Nuk kishte frigoriferë por solidaritet. Shtëpitë e fshatrave kanë qënë të gjitha dykatëshe, kjo tregon se kanë pasur ekonomi e katandi, por cuditërisht Qarku ka pasur dhe bejlerë me nam që haheshin me fshatrat. 

Në Danimarkë një kotec pulash ishte pasuri e 5 brezave njëherësh dhe brezi i gjashtë ishte krenar që do ndiqte këtë rrugëtim për identitetin e tij. Kjo nuk ndodh me Gjirokastrën, nuk është njeri krenar as për dylymët e tokës, por njerëzit arratisen se janë emigrantë në tokat e tyre, qytetarë të nderuar në tokat e të huajve.

Një fshat i tërë iu vërsul beut në malin e Cajupit se mos i vidhte fushën. Gjyqi ua dha fshatarëve fushën e Malit të Cajupit. Tani s’kanë c’e duan tokën se nuk ka kush ta punojë e ta gëzojë, por dhe atë kush mundet do ta vjedhë. 

Cuditërisht në atë tokë janë vjedhur shumë njerëz e kafshë, se mos vetëm në atë tokë, mbarë fshatrave të Gjirokastrës. 

Pleqtë po ikin si Ura e Hoshtevës, ngelën duke bërtit po se dëgjoi kush. Bashkë me ta po me drejtim të kundërt po ikin edhe të rinjtë. 



Gjirokastra mbahet me bujqësi e sidomos me blektori, fshatrat janë burim i pashtershëm dhe kanë pasuri pafund. Karakteristikë e qarkut të Gjirokastrës është se pas viteve 1990 ra cdo gjë prodhuese, do na falte amerikani cdo gjë më bukur se c’i kishim pasur, ceku i bardhë i mahniti jugorët sa prishën e vranë fabrika, pyje, kafshë e shpendë, s’lanë gjësendi në vend të vet, ca dhe nga inati për partinë dhe udhëheqësin që dikur e qanin me mall.

 Në vitin 1996 kjo u përsërit me një supermarket në të dalë të Gjirokastrës, nuk i lanë as xhamat e supermarketit, madje sharroheshin edhe helet e hekurit. Grehoti vjedhjen e provoi më pas, nuk ngeli batanije në repartet ushtarake. Nuk u mor vesh a ishin gjirokastritë. 

Njësoj si përmetarët të cilët u lyen me miell me ndihmat e francezëve në 1991. U lyen me miell për mos të njohur njeri-tjetrin kur po vidhnin. 



Kjo nuk do të thotë që ishin gjirokastritë por që gjirokastritët ishin të pafuqishëm për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. 

Fukarallëku është Maskarrallëk, vret gjithmonë si në 1991, 1997, 2018, vret në cdo epokë, nuk ka dallime etnike, profesionale, gjinore, fetare, kombëtare, ai ngelet fukarallëk.

Pse nuk bëhet Gjirokastra vetëm me turizëm? Sepse njerëzit nuk mund dot të përshtaten vetëm turizmit për 28 vjet, ata kanë mendime, profesione, kualifikime, ide të ndryshme. 

Këto të ndryshme duhet të mos injoroheshin po të integroheshin për turizmin. Ne shqiptarët jemi cudibërës, po qe e ndryshme është armiku jonë, po qe e njëjtë është shpresa jonë, në mos e vrasim të ndryshmen, është barbare, e huaj, larg nga ne.

Kështu u duket vetja dhe të rinjve që mbarojnë shkollë profesionale, u duket vetja të injoruar. Në kushtet e një turizmi apo marketing elitar, paria e qytetit duhet të mendojë si të shpërndajë të ardhurat e sjella në qytet te cdo zë dhe në cdo fushë. Vetëm kështu mund të rigjenerohet Gjirokastra, nuk mund dot të mendosh sikur turizmi dhe shkollat profesionale do të shpëtojnë atë.



Hic e hicmosgjë e dicka më pak thuasje barazohet me hicgjë.


Pjesa që e vuan më shumë të ardhmen është rinia. Të gjithë flasin për rininë aty, por gabimisht harrohen njerëzit në nevojë, kujtohen vetëm kur ka shkitje dheu në ndonjë pallat. 

Tragjekomedisht Gjirokastra mbart dhe perfekten dhe maskarallëkun, edhe Djallin edhe Zotin, edhe talentin edhe deficentin. Edhe të mirin edhe të keqin. 

Mund të dalin shumë kadarenj ose hoxhistë, del dhe Argjiroja dhe tymi i barit cudibërëes jeshil, edhe kënga e bukur edhe vaji i atyre që nuk mbahen dot me asistencë sociale dhe nuk kanë lekë të blejnë bombula oksigjeni për të mbijetuar. Pakt edhe me Djallin edhe me Zotin. 



Gjirokastritët janë aq të zgjuar sa të shkojnë në gjilpërë, por aq të djallëzuar sa të vjedhin një shtet të tërë, këtu nuk bën dallim në janë me tituj apo të thjeshtë, në janë të ardhur apo të vendit, në janë profesionalë apo amatorë, ata përgjojnë si dritaret e shtëpisë përkundrejt njëra-tjetrës në cdo mëhallë. 

Janë edhe të marrë edhe gjenij, mendja e shtëpive të urta nxjerr të marrë, ‘’Sokaku i të Marrëve’’ nxjerr gjenij. 

Gjirokastra është gur që po tretet ngadalë si shtëpitë që po rrënohen, kjo nuk behët vetëm me turizëm e ndërgjegjësim, por me veprim. 

 


Ajo po bie hijerëndë si Ura e Hoshtevës. Nuk e dëgjon njeri, s’e shikon, as nuk do ta përgjojë, ajo është e censuruar. Dhe njerëzit aty ikin si të marrë e kthehen si gjenij!  www.eugentkllapi.tk/

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00