Home | Business | Roli dhe rëndësia ekonomike e Rrugës së Arbrit

Roli dhe rëndësia ekonomike e Rrugës së Arbrit

image
Rëndësia ekonomike e Rrugës së Arbrit  duhet të shikohet në aspektin dhe rolin  shumëdimensional të saj. Ajo është një prej rrugëve më të rëndësishme, e cila lidh ekonomitë e tri rajoneve  me përparësi të ndryshme natyrore dhe ekonomike: rajonit bregdetar, rajonit malor (Bulqiza, Klosi, Dibra dhe viset e Sharrit) dhe rajonit kontinental (Kërçova, Gostivari, Tetova dhe Shkupi). 

 

 

 

 

Nga Enver Halili *

 

 

 

 

Rëndësia ekonomike e Rrugës së Arbrit  duhet të shikohet në aspektin dhe rolin  shumëdimensional të saj. Ajo është një prej rrugëve më të rëndësishme, e cila lidh ekonomitë e tri rajoneve  me përparësi të ndryshme natyrore dhe ekonomike: rajonit bregdetar, rajonit malor (Bulqiza, Klosi, Dibra dhe viset e Sharrit) dhe rajonit kontinental (Kërçova, Gostivari, Tetova dhe Shkupi). 

 

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit krijon mundësi për një angazhim të madh të kapitalit financiar dhe njerëzor. Pa dyshim, rolin kryesor do ta ketë kapitali intelektual, i cili në mënyrë profesionale do të funksionalizojë një gamë të gjerë të aktiviteteve ekonomike dhe joekonomike.

 

Jam shumë i sigurt se kostoja e rrugës do të mbulohet për një afat shumë të shkurtër. 

Të ardhurat dhe përfitimet e tjera që do të rrjedhin prej saj do të jenë të shumëfishta dhe ekonomikisht të pakontestueshme.

 

Rruga e Arbrit është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për popujt e rajonit në përgjithësi. Kjo rëndësi shtrihet jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në atë kulturore dhe humanitare. Aktivizimi i resurseve të shumta të tri rajoneve: rajonit bregdetar, malor dhe atij kontinental paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për ndërmarrjen dhe zhvillimin e një kompleksi të tërë të bizneseve dhe aktiviteteve ekonomike dhe joekonomike. Ndërlidhjet tregtare ndërmjet tri rajoneve me përparësi të ndryshme ekonomike, eliminojnë informatat asimetrike dhe ndikojnë pozitivisht në shtimin e vlerës së re, rrisin të hyrat buxhetore dhe përparojë mirëqenien e njerëzve.

Rëndësia ekonomike e Rrugës së Arbrit  duhet të shikohet në aspektin dhe rolin  shumëdimensional të saj. Ajo është një prej rrugëve më të rëndësishme, e cila lidh ekonomitë e tri rajoneve  me përparësi të ndryshme natyrore dhe ekonomike: rajonit bregdetar, rajonit malor (Bulqiza, Klosi, Dibra dhe viset e Sharrit) dhe rajonit kontinental (Kërçova, Gostivari, Tetova dhe Shkupi). Por, mbi të gjitha, shkurton distancën kilometrike në mes të dy metropoleve më të njohura të Ballkanit, Tiranës dhe Shkupit, dhe ndërlidh pjesën malore dhe kontinentale me portin detar të Durrësit. Përfundimi i këtij korridori rrugor ul shpenzimet transportuese për të cilat çdo vit njerëzit dhe bizneset e këtyre rajoneve humbasin qindra miliona euro, për shkak se duhet të ndjekin linjat alternative rrugore shumë më  të gjata dhe me kosto shumë më të larta. Pra, kjo rrugë mundëson dhe shton vëllimin dhe efikasitetin e qarkullimit të mallrave dhe kapitalit në mes të këtyre rajoneve me tregjet e tjera europiane dhe aziatike. 

Por mbi të gjitha shfrytëzimi racional i pasurive të  shumta nëntokësore (minerale) dhe mrekullive natyrore të këtij rajoni të lartë malor, do të jetë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik-shoqëror dhe do të ndikoj pozitivisht në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB - Gross Domestic Product (GDP)). Veçanërisht rajonet e Bulqizës, Klosit, Peshkopisë dhe Dibrës ofrojnë një fushë të gjerë për të investuar në sektorë të ndryshëm të biznesit dhe ekonomisë, siç janë: 

1. Industria e minierave- nxjerrjen dhe përpunimin e metaleve (kromit, hekurit-nikelit, bakrit, aluminit, platinit, oreollave të arit, etj) dhe jometaleve  (mermerët, kuarcitet, granitet, argjilat, squfurin, bojërat e dheut, gjipset,  gëlqerorët, etj) dhe burime te tjera natyrore (Hoxha,  et al. 2007; Shenjatari 2007)

2. Ekonomia e turizmit: 

• malor (veror dhe dimëror) - duke shfrytëzuar burimet e rralla natyrore të këtij rajoni, si natyra Malit të Korabit, Parku Kombëtar i Lurës dhe lugina e Drinit të Zi nga turistë të vendeve të ndryshme. Njerëzit e zonave urbane kanë shumë nevojë për qetësim dhe prehje fizike dhe shpirtërore (sidomos njerëzit e zonave industriale nga vendet e Ballkanit dhe të Europës Perëndimore) dhe

• historiko-arkeologjik - pasi kjo zonë ka një histori të lashtë dhe të lavdishme dhe aty janë prezente gjurmët ilire dhe ato të Gjergj Kastriotit (Lleshi 2006). Këto monumente historike zgjojnë interesimin dhe kureshtjen e shumë studiuesve dhe turistëve të vendit dhe të huaj për ta vizituar këto zona. 

3. Ekonomia bujqësore:           

• bimët mjekësore, drithërat, pemëtaria dhe blegtoria.

4. Ekonomia e ujit: 

• ujit të pijshëm - zonat në fjalë janë shumë të pasura me burime uji të pijshëm, rezervat e të cilit po pakësohen gjithmonë e më tepër në rang planeti dhe çmimi i tij do rritet ndjeshëm në një periudhë të afërt kohore (Molden 2007). P.sh: 1/2 litër ujë në Melburn shitet për 2 dollarë deri në 3.5 dollarë, ndërsa 1 litër petrol kushton vetëm 1.50 dollarë. 

• ujërat termale- burime të pasura të të cilave ndodhen në dy Dibrat dhe mbartin vlera të rëndëshime ekonomiko-shëndetësore (Eftimi 2012).

5. Industrinë e barërave (farmaceutike): 

• shfrytëzimin dhe përpunimi efektiv të bimëve të shumta mjekësore që posedon ky rajon i pasur malor.

6. Industria ushqimore:  

• përpunimi i lëndëve të para blegtorale (produktet e qumështit dhe të mishit)

• përpunimi dhe prodhimi i produkteve të pemëve, perimeve dhe drithërave. 

Zhvillimi i industrisë ushqimore  është shumë i rëndësishëm, veçanërisht tani kur bota po ballafaqohet me rritjen e kostos së ushqimit. P.sh: 1 kg mish lope në Melburn shitet për 15.00-20.00 dollarë; apo 1/2 kg domate të konservuara shiten për 6.00-8.00 dollarë.

7. Industria e përpunimit të leshit (tjerrit) dhe lëkurës:

• bazuar në lëndët e para vendore, të cilat mundësojnë zhvillimin e industrisë së tekstilit, këpucëve dhe produkteve të tjera.

8. Ekonomisë shëndetësore:

• si rezultat i mjedisit, ajrit dhe ujit të pastër, atje mund të ndërtohen spitale  dhe qendra shëndetësore rehabilituese, sidomos ato të cilat kërkojnë prehje shpirtërore dhe psikike. Këto bukuri natyrore jo vetëm ta kënaqin syrin, por shpirtin dhe mendjen ta shërojnë.  

9. Ekonomia e prodhimit të energjisë elektrike:

• Energjia ujore - duke shfrytëzuar rezervat e mëdha të ujit dhe rrjetin hidrik të larmishëm (Hoxha 2006).

• Energjia e erës - e favorizuar nga pozita gjeografike dhe erërat e shumta të cilat janë prezente gjatë tërë vitit kalendarik. Energjia e erës  është një burim energjik i pastër ekologjik dhe i pashtershëm (Fthenakis e Kim 2009).

Prandaj ndërtimi i Rrugës së Arbrit krijon mundësi për një angazhim të madh të kapitalit financiar dhe njerëzor. Pa dyshim, rolin kryesor do ta ketë kapitali intelektual, i cili në mënyrë profesionale do të funksionalizojë një gamë të gjerë të aktiviteteve ekonomike dhe joekonomike. Gjithashtu, një fushë atraktive për investimet do jetë sektori i shërbimeve, duke përfshirë shërbimet e ndryshme administrative (publike), shërbimet financiare (dhe bankare), shërbimet shëndetësore, shërbimet ndërlidhëse (transportuese, telefonike dhe interneti), shërbimet hoteliere, shërbimet mirëmbajtëse  dhe shërbimet e tjera zejtare, të cilat ndikojnë pozitivisht në ngritjen e nivelit të punësimit dhe në rritjen ekonomike të tri rajoneve në përgjithësi. Rruga e Arbërit pra do të ketë një ndikim multisektorial në hapjen e vendeve të reja të punës dhe të krijimit të vlerës së re, rritjes së të hyrave buxhetore, shtimin e kontributeve humanitare dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve.

Dihet gjithashtu, se infrastruktura rrugore është faktor kryesori i zhvillimit ekonomik të një vendi apo rajoni. Komunikacioni rrugor është kusht elementar për zhvillimin e biznesit sepse, u mundëson prodhueseve/tregtareve t’i shkëmbejnë mallrat e tyre në tregje të njëri-tjetrit. Ndërlidhja rrugore në mes të tregjeve eliminon informatat asimetrike në mes tyre. Prania e informatave asimetrike shkakton selektimin irracional (të padëshirueshëm) dhe  pamundëson integrimin e palëve në realizimin e transaksioneve ekonomiko-financiare dhe e ul performancën financiare të firmave (Alchian e Demsetz 1972; Leland e Pyle 1977). Bashkëpunimi ekonomik është një çështje vendimtare për realizimin investimeve të suksesshme. Aksionerët dhe kreditorët (huadhënësit) kërkojnë informacione  reale dhe të besueshme (kredibile), të cilat tregojnë cilësinë e sipërmarrësit apo kompanisë. Investitorët dëshirojnë të dinë se cilat projekte garantojnë të ardhura më të larta për kapitalin e tyre (Halili 2013).  Prandaj, ndërtimi i Rrugës së Arbrit do ndriçojë në treg, do t’i eliminojë informatat asimetrike në lidhje me ekonomitë e këtyre rajoneve. Rruga  e Arbrit  do të këtë ndikim pozitiv në shtimin e volumit të investimeve nga bizneset e brendshme dhe të jashtme. 

Hapja e kësaj rruge mundëson që  ekonomia kombëtare të zhvillohet më shpejt si rezultat i shfrytëzimit efektiv të përparësive natyrore që ofron njëri rajon në krahasim me tjetrin.  Zhvillimin ekonomik bazuar në përparësitë natyrore mundëson të ardhura më të larta për investitorët. Përfitimet e palëve janë të ndërlidhura, reciproke dhe të dyanshme (Smith 1776). Bashkëpunimi ekonomik në mes të rajoneve të ndryshme nën ndikimin e ligjit të ofertës dhe kërkesës do të arrijë t’i shfrytëzojë pasuritë njerëzore dhe natyrore në mënyrë racionale. ‘Dora e bekuar’ e tregut në mënyrë të padukshme do t’i integrojë potencialet e pashfrytëzuara ekonomike (krijuese, prodhuese e shërbyese), duke i ndërlidhur bizneset e zonave të ndryshme me interes të përbashkët ekonomik. Tregu me dorën e vetë të padukshme  do të arrijë të shpërndajë investimet në mënyrë racionale në ato projekte dhe rajone, duke rritur aktivitetin ekonomik me qëllim të maksimalizimit të të ardhurave pronarëve të kapitalit dhe të investitorëve të tjerë. 

Në përfundim duhet theksuar se, duke lidhur ekonominë e këtyre rajoneve, Rruga e Arbërit në mënyrë multiplikative do të ndikoj në zhvillimin e shumë sektorëve të rinj të biznesit. Shumë resurse të reja të cilat deri më tani kanë qenë të pashfrytëzuara do të aktivizohen, do të rritet fuqia ekonomike e atyre zonave, do të ngrihet prestigji i ekonomisë shqiptare dhe do të eliminohen informatat asimetrike në treg në favor të ekonomisë sonë në përgjithësi. Kjo ndërlidhje ekonomike do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme në rritjen e PBB-së si rezultat i rritjes së kërkesave për mallrat e këtyre rajoneve në tregjet e ndryshme. Ndikimi shumësektorial i kësaj rruge do të reflektohet në rritjen e fuqisë së ekonomisë kombëtare e rajonale dhe posaçërisht në ngritjen e  mirëqenies njerëzore.

Ky aks rrugor lirisht mund të thuhet se ka shumë tipare të Rrugës së Kombit Durrës-Prishtinë. Jam shumë i sigurt se kostoja e rrugës do të mbulohet për një afat shumë të shkurtër. Të ardhurat dhe përfitimet e tjera që do të rrjedhin prej saj do të jenë të shumëfishta dhe ekonomikisht të pa kontestueshme. Andaj, mund të përfundoj se nuk ka nevojë aspak të hezitohet, por duhet të fillohet dhe të përfundohet ndërtimi i Rrugës së Arbrit sa më shpejtë që të jetë e mundur.

 

 

 

REFERENCAT:

 

Alchian, AA & Demsetz, H 1972, ‘Production, Information Costs, and Economic Organization’, The American Economic Review, vol. 62, no. 5, pp. 777-795.

Eftimi,  R & Frashëri A 2012, ‘Thermal and Mineral Waters of Albania and the Platform of their Integrated and Cascade Use’, 3rd International Conference GEOSCIENCES AND ENVIRONMENT 27-29 May 2012, Belgrade.

Fthenakis, V & Kim, HC 2009, ‘Land use and electricity generation: A life-cycle analysis’, Renewable and Sustainable Energy Reviews, 13, pp. 1465–1474.

Halili, E 2013, ‘Long-Term Operating Performance: An Empirical Examination of Family and Non-Family Firms Listed in Australia, Unpublished Thesis, Swinburne University of Technology, Melbourne, Australia.

Hoxha, V, Lleshi, B, Aliu, I, Shabani, S, & Karaj, N 2007 ‘Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës vihet në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit’, Gazeta Rruga e Arbërit, Nr.13, maj, fq.3

Hoxha, V 2007, ‘Rruga e Arbërit, rruga e zhvillimit të Shqipërisë Lindore: Pasuritë dhe problemet”, Gazeta Rruga e Arbërit, Nr.10, shkurt, fq.3-6.

Leland, EH & Pyle, HD 1977, ‘Informational Asymmetries, Financial Structure, and Financial Intermediation’, The Journal of Finance, vol. XXXII, no. 2, pp. 371-387.

Lleshi, B 2006, ‘Rruga e Arbërit, rrugë kryesore e vendit krahas rrugës Egnatia që në lashtësi’, Gazeta Rruga e Arbërit, Nr.4, gusht 2006, fq.4-5

Molden, D (Ed) 2007, ‘Water for food, Water for life: A Comprehensive Assessment of Water Management in Agriculture’ Earthscan/IWMI.

Shenjatari, A 2007, ‘Rruga e Arbërit dhe resurset natyrore të Rrethit të Matit’, Gazeta Rruga e Arbërit, Nr.13, maj, fq.3

Smith, A 1776, ‘Wealth of Nations’, Prometheus Books, Printed 1991, New York.

 

 

 

_________________________________________________

 

* Autori është PhD- Kandidat në Financë. Ai është pedagog në Universiteti Teknologjik të Swinburnit, Melburn, Australi. Aktualisht jeton në Melburn. Ai është një lexues i rregullt i gazetës dhe prej kohësh kish shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij modest nga larg për Rrugën e Arbrit. Artikulli i mësipërm është shkruar posaçërisht për gazetën “Rruga e Arbërit”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00