Home | Business | Kriza e borxheve të Eurozonës shqetëson shtetet ballkanike

Kriza e borxheve të Eurozonës shqetëson shtetet ballkanike

image
Në një raport të kohëve të fundit të Bankës Botërore, paralajmërohet se kriza e borxheve me epiqendër Greqinë, mund të ndikojë negativisht duke vënë në rrezik lidhjet ekonomike, investimet direkte, huadhënien bankare dhe remitancat nga jashtë.








Nga Orhan Zarshati 
 
 
 


Kriza financiare e vitit 2007 dhe tani kriza e borxheve i kanë shqetësuar vendet e Ballkanit. Kriza e borxheve e Eurozonës po i shqetëson dhe po shkakton një frikë në rritje për përhapjen dhe kalimin e saj në ekonomitë e vogla dhe vulnerabile të Ballkanit; mbasi po prek fqinjët e afërt dhe partnerët tregtarë më me peshë të Greqisë dhe Italisë. Në një raport të kohëve të fundit të Bankës Botërore, paralajmërohet se kriza e borxheve me epiqendër Greqinë, mund të ndikojë negativisht duke vënë në rrezik lidhjet ekonomike, investimet direkte, huadhënien bankare dhe remitancat nga jashtë. Tregtia me BE-në është forca lëvizëse kyçe për eksportet dhe për rritjen e gjithanshme ekonomike në rajon; që në disa raste përbën deri gjysmën e të gjithë aktivitetit ekonomik në rajon.Për Serbinë, Bosnjen, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë eksportet në vendet e BE-së janë thelbësore. Diçka rreth 58,2 për qind të eksporteve të tyre totale në vitin 2010 shkuan drejt BE-së; kryesisht drejt Italisë dhe Gjermanisë.Shqetësimet po shtohen edhe në Kroaci e cila pritet të anëtarësohet së shpejti në BE. “Shumica e bankave të huaja në këto vende janë me origjinë nga vendet anëtare të BE-së, me relativisht pjesë të lartë kapitali të bankave greke dhe italiane.
 
Vështirësitë e mëtutjeshme të bankave mëmë të tyre, mund të krijojnë potencialisht një plasaritje tjetër të kreditit në rajon, bën me dije ekonomisti i Bankës Botërore, Ron Hud (Ron Hood). Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike në rajon prej 2,5 për qind në vitin 2011dhe 2,1 për qind në vitin 2012; por vetëm nëse është zgjidhur kriza në Eurozonë, e cila gjithnjë e më shumë po hap debate, kur gjithnjë e më tepër vende anëtare të BE, po gjenden në vështirësi. Ron Hud thotë se sa më shumë të përkeqësohet kriza, aq më shumë do të përkeqësohet edhe rritja ekonomike në këto vende të rajonit ballkanik. Guvernatori i Bankës Qendrore të Serbisë, Dejan Shoshkiç, njofton se vendi i tij tashmë është prekur nga kriza.
 
“Si rezultat i krizës, aktiviteti ekonomik është duke vuajtur dhe se parashikimet për rritje ekonomike në vitin e ardhshëm janë në rrezik”, thotë Shoshkiç dhe shton se parashikimi për vitin 2012 është 1,5 për qind rritje. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe Ministri i Financave Nebojsha Ciriç, u shprehën me shqetësim për faktin se kriza e borxheve në Itali mund të shkurtojë eksportet serbe drejt Italisë; nëse Roma i shkurton shpenzimet dhe ia nënshtron taksat masave rigorozisht të rrepta. Italia është tregu kryesor i eksportit të Serbisë në BE, kryesisht për prodhime të përpunuara, fruta dhe prodhime druri. Italia është gjithashtu burimi i tretë më i madh i importeve të Serbisë; kurse kompanitë italiane Fiat dhe Beneton janë investitorët më të mëdhenj në Serbi. Kriza e borxheve në Eurozonë, i ka kapur vendet ballkanike në një kohë kritike, mbasi këto vende kanë vuajtur keq nga rënia ekonomike për shkak të krizës globale financiare në vitin 2008, mbas të cilës mezi e morën pak veten.Në Bosnje,shëndoshja e ekonomisë u bë e mundur kryesisht për shkak të rritjes së eksporteve drejt vendeve të BE-së, i tha të përditshmes “Osllobogjenje” që del në Sarajevë, analisti i Bankës Botërore Damir Çosiç.
 
“Në rastin e krizës ekonomike globale, në vitin 2012 pritet të ndodhë një rënie e ndjeshme e rritjes ekonomike dhe paksim i konsumit”, ka vënë në dukje banka austriake “Raiffeisenbank”, për gjendjen në Bosnje. Ekonomisti serb Ljubodrag Saviç, tha se ai ka frikë se mos viti 2012 dhe madje dhe viti 2013 do të jenë vite të vështira; ndërsa Kroacia po ndeshet me të njëjtin lloj problemesh të një ekonomie që pritet të tkurret vitin e ardhshëm, mbasi eksportet drejt Italisë, deri tani, dmth në vitin 2011 kanë rënë me 11 për qind. Nëse kriza në Europë vazhdon, kjo do të thotë që mund të ketë një rënie në investimet e drejtpërdrejta, këtë e pohojnë dhe ekspertët e ekonomisë në Kroaci.Zdesllav Santiç, një ekspert i Splitska Bankës në Kroaci, vlerëson faktin që viti 2012 mund të sjellë një rënie të ndjeshme në standardin e jetesës në Kroaci, duke i bërë me efekte të ndërlikuara rritjen e çmimeve për energji dhe për shërbimet publike. Përqindja e papunësisë, që arriti 16,8 % në shtatorin e kaluar, ka gjasa të vazhdojë të ngrihet dhe kështu kompanitë mund të gjenden nën një trysni të shtuar, vuri në dukje Santiç.Në Shqipëri, tregtia me Greqinë fqinje ka rëne ndjeshëm, ndërsa remitancat nga shqiptarët që punojnë atje kanë rënë me 11% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011.
 
Luhatjet në ekonominë shqiptare, lidhur me krizën e borxheve në Greqi dhe Itali, janë trajtuar edhe nga ekspertë të ekonomisë shqiptare, si Adrdian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë (i zgjedhur për një mandat të dytë) dhe profesori i mirënjohur Adrian Civici; i cili e ka kundërshtuar me argumente përfshirjen e Shqipërisë në Eurozonë,qoftë për një term afatmesëm. Kosova, në përgjithësi ka qenë e veçuar nga kriza e Eurozonës, pavarësisht se përdor euron si monedhë zyrtare; kjo për shkak të aksesit të kufizuar në tregjet globale, fakt që e ka deklaruar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Shumica e popullsisë etnike të Kosovës me rreth 2,2 milionë banorë autoktonë shqiptarë varet nga mbështetja financiare prej të afërmve të tyre, që jetojnë jashtë. Megjithatë FMN, paralajmëroi se “rikthimi i rënies ekonomike” në hapsirën e euros mund të afektojë negativisht remitancat dhe investimet e huaja direkte në Kosovë, që është një prej vendeve më të varfëra të Europës, me një përqindje të lartë papunësie, që shkon më shumë se 40%. Maqedonia, fqinje e Kosovës dhe e Shqipërisë, edhe ajo me 2,2 milionë banorë, ka deklaruar se është e përgatitur kundrejt një kalimi të mundshëm të krizës së Eurozonës, drejtpërsëdrejti nga Greqia. Analistët bëjnë me dije se për ekonomitë e vogla dhe të tronditura të vendeve ballkanike, kanë shumë rëndësi reformat që po ndërmerr Greqia dhe vetë ato vende.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0