Home | Business | Ekonomia botërore në "qorrsokak"?!

Ekonomia botërore në "qorrsokak"?!

image
Ekonomia globale padyshim është komplekse, mirëpo faktorët kryesor që e karakterizojnë krizën financiare sot (apo më mirë të themi krizën e filluar në vitin 2008 dhe që do të filloj të ketë një “stabilitet” kah fundi i vitit 2012 pas shumë masave që do të merren nga qeveritë) janë: 1. borxhet e qeverive; 2. Sistemi bankar jo i menaxhuar si duhet dhe i kontrolluar; 3. Tregu financiar (i letrave me vlerë, derivativet) lehtë i manipuluar.


Driton Smakaj


Ekonomia globale është futur në një kthesë vërtetë të madhe, aq e madhe saqë fatkeqësisht drejtuesit e kësaj ekonomie globale nuk i kanë as mjetet as aftësinë e as instrumentet e duhura për të parë se çka ka mbrapa asaj kthese. Mirëpo ata po e ndjejnë dhe parashohin që kthesa i ngjan një spareleje që të dërgon në një fund që me dashje apo pa dashje do të arrijnë atje, sepse rruga tani ka vetëm një drejtim.
 
Tani do të ndalem në disa fakte në mënyrë që të elaboroj frazën hyrëse. Për të kuptuar më mirë nderlidhshmërinë e ekonomisë globale duhet të vështrojmë edhe të ashtuquajturin proces të globalizimit që në praktikë nënkupton një planet me një shoqëri të hapur, pa barriera të çfarëdo natyre në përgjithësi. Mbi filozofinë e globalizimit është zhvilluar ekonomia e vendeve të ndryshme në dekadat e fundit ku natyrisht ka pasur edhe zhvillime të shumta pozitive në të gjitha aspektet. Mirëpo fatkeqësisht natyra njerëzore nuk është e përkryer dhe fatkeqësisht është shumë egoiste, andaj meqë njerëzit menaxhojnë me ekonominë natyrisht që edhe shkaktojnë kriza ku dikush përfiton gjithçka e dikush humb shumëçka.
 
Ekonomia globale padyshim është komplekse, mirëpo faktorët kryesor që e karakterizojnë krizën financiare sot (apo më mirë të themi krizën e filluar në vitin 2008 dhe që do të filloj të ketë një “stabilitet” kah fundi i vitit 2012 pas shumë masave që do të merren nga qeveritë) janë: 1. borxhet e qeverive; 2. Sistemi bankar jo i menaxhuar si duhet dhe i kontrolluar; 3. Tregu financiar (i letrave me vlerë, derivativet) lehtë i manipuluar.
 
I përmenda tre faktor pasi që mund t’i konsiderojmë si determinanta kryesore të krizës sot edhe pse në një ambient kaq të gjerë ekonomik natyrisht që ka edhe elemente tjerë që kontribuojnë në intensitetin e krizës.
 
Kur flasim për borxhet e qeverive (apo borxhet publike të vendeve sovrane) sot në mesin e analistëve të tregut flitet më së shumti për disa vende të Evropës dhe analistët përdorin në terminologjinë e tyre fjalën PIIGS që ashtu si shqiptohet në anglishte merr kuptimin “derrat” që për rastësinë e krizës edhe i shkon për shtati, mirëpo në fakt flasim për pesë vende të Evropës, përkatësisht Portugalia, Italia, Irlanda, Greqia dhe Spanja, vende këto që i përkasin një kontinenti me një ekonomi të avancuar në planetin tokë. Pra nga këto vende Greqia është në situatën më të rëndë financiare ku lidershipi i këtij vendi është detyruar të marr masa të forta “shtrënguese” në planin e kursimeve ku tashmë kanë “plasur” edhe trazira sociale, mirëpo pavarësisht këtyre masave shumë analistë sot mendojnë që Greqia është në rrugë drejt falimentimit të shtetit si rezultat i mos aftësisë së moskthimit të borxhit publik.
 
Mirëpo një gjë e tillë e ka një bisht të gjatë mbrapa sepse aspak më mirë nuk janë edhe katër vendet tjera e nëse kjo ndodhë, atëherë EUROZONËS ngadalë i vije fundi.
 
Kur flasim për sistemin bankar, gjërat duken më komplekse, por janë të ndërlidhura natyrisht me politikat që “prodhojnë” sistemet politike duke iu dhënë bankave hapësirë për të vepruar si të pavarura. Nëse Ekonomia e Tregut të lirë duhet respektuar në parim dhe këtu edhe bankistët mendojnë që gjithçka që bëjnë janë konform ligjeve në fuqi, diçka që edhe unë mendoj njësoj vetëm se si analist i ekonomisë, e them me plot përgjegjësi që ligjet që rregullojnë këto aktivitete ekonomike janë larg të qenit të përkryera. Më duhet të marr një shembull nga protestat e fundit që u zhvilluan në qytete të mëdha të botës kundër bankave apo edhe më mirë të themi kundër sistemit aktual ekonomiko-shoqëror, dhe në një qytet protestuesit mbanin një “lopë prej ari” ku kishte mbishkrimin “GREED” që ne në shqipe i themi “LAKMI” e në zhargonin popullor thonë “kajtja e korit burrin”. Në këtë kontekst protestuesit donin të thoshin që lakmia e bankistëve po e “korit” sistemin në përgjithësi.
 
Po shtjelloj me pak shembuj që disa nga bankat e mëdha mund të përfundojnë në rrugën e bankrotimeve pikërisht për faktin e “LAKMISË”. Duke u nisur vetëm në rrugën drejt përfitimeve më të mëdha të mundshme bankat e “zbuluan” huadhënien e ashtuquajtur “mortgage” (huadhënie për patundshmëri) që ndryshe nënkupton që banka jep shumë më lehtë një hua tek një kredikërkues për faktin që sipas ligjit pronar i palujtshmërisë është banka deri në momentin kur kredikërkuesi paguan edhe centin e fundit të kredisë. Kjo lloj huadhënie rriti çmimet e palujtshmerive shumë lartë duke shkaktuar një bum në këtë sektor. Në anën tjetër prapë “LAKMIA” në anën e kredikërkuesve bëri që shumë njerëz të hynë në kredi të tilla për të pasur një shtëpi të madhe, një dyqan apo tokë e tjera palujtshmeri, duke shkuar përtej mundësive për të paguar mbrapa kredinë. Si rezultat ne vitin 2008 disa banka ua morën këtyre njerëzve palujtshmeritë dhe i hapen ankandet për të grumbulluar mjetet për likuiditet dhe kjo bëri që çmimet të bien prapë aty ku ishin dikur, dhe si rezultat shumë njerëz edhe mbeten të “pa strehë”, tashmë fjalë shumë e njohur në Evropë e Amerikë “homeless” – “pa shtëpi”. Për ironinë e sistemit njerëzit “qeshin dhe qajnë” ku në fakt do te mund vetëm të “qeshnin”.
 
Tregu financiar në përgjithësi nuk është i rregulluar ashtu siç duhet, ka manipulime të mëdha në informacione ku çmimi i disa letrave me vlerë ndryshon radikalisht si rezultat i një informacioni që mund të jetë edhe krejtësisht jo real, nuk ka ndëshkime. Pastaj “Rejtingu” (Shkalla e kredibilitetit të entitetit ekonomik i kuotuar në bursë financiare) nga kompanitë si “Standard&Poors” apo “Moody’s” e kompani tjera nuk është transparent sa duhet. Njerëzit investojnë mjetet e tyre në letra me vlerë duke u bazuar në Rejting dhe ndodhë që rejtingu të mos jetë real duke shkaktuar humbje të mëdha investitorëve. Pastaj gabimi i radhës janë derivativet apo ndryshe do ti quaja “bastore” në tregun financiar që nuk po ndalem në detaje për shkak të natyrës komplekse që ka ky aktivitet financiar pa mbulesë reale në kuptimin material. Pra rishikimi dhe ribërja e ligjeve në këtë fushë është imperativ i kohës.
 
Si rezultat i kësaj situate të krijuar në tregun botëror ekonomitë e vendeve të mëdha e të vogla do të jenë të ndikuara në mënyra të ndryshme. Kosova është një vend i vogël kundrejt ekonomisë globale, mirëpo edhe ashtu e vogël po e ndjen në lëkurën e saj. Trusti pensional vetëm po pëson rënie dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme rëniet mund të jenë befasuese. Gjithashtu mjetet e fondit të privatizimit duhet të kenë një përkujdesje të veçantë. I rekomandoj menaxhmentin që të tërheqin investimet nga letrat me vlerë që janë të ndikuara drejtpërdrejtë nga kriza e sotme financiare në të kundërtën rrezikojnë të mbesin në posedim të “letrave me vlerë” por pa vlerë, përkatësisht pa mjete financiare.
 
Për të konkluduar do të shtoja që me 23 Tetor liderët e Unionit Evropian do të mblidhen për të hartuar planin për shpëtimin e EUROZONËS. “Paketa” e ashtuquajtur do të ketë një shumë rreth 590 miliardë EURO për të shpëtuar 5 vendet PIIGS dhe EUROZONËN. Se a do të ketë sukses mbetet të shihet, mirëpo liderëve evropian edhe nuk iu mbetet ndonjë alternativ tjetër, rruga është një drejtimshe në kthesën e spirales.
 
Në anën tjetër DEXIA banka më e madhe e Belgjikës tashmë e ka deklaruar falimentimin. Është me rëndësi të theksohet që kjo bankë në asete është më e madhe sesa ekonomia e Belgjikës, andaj edhe qeveria e Belgjikës nuk ka kapacitete reale për shpëtimin e kësaj banke. Në fakt falimentimi i kësaj banke ka qenë sinjali më i qartë i krizës për lidershipin evropian.
 
Analistët e ekonomisë tani për tani mendojnë që nuk ka qeveri që mund t’i shpëtojë bankat e mëdha dhe nuk ka banka të mëdha që mund t’i shpëtojnë qeveritë.
 
(Autori është magjistër i shkencave ekonomike)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0