"Matematika ndihmon per t'i bere te kuptueshme ngjarjet e skajshme dhe sjelljet iracionale"
Bisedë me Xavier Gabaix (Universiteti i New Yorkut), fitues i Çmimit 2011 si ekonomisti më i mirë i ri.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Xavier Gabaix (Universiteti i New Yorkut) është fituesi i Çmimit 2011 si ekonomisti më i mirë i ri. Me rastin e këtij çmimi, të dorëzuar të hënën më 23 maj nga Jean Tirole, president i këshillit administrativ të Shkollës së ekonomisë në Toulouse, në kuadrin e salloneve Boffrand të Senatit, në Paris dhe prani të Gérard Larcher, president i Senatit, "Le Monde Economie", i hap kolonat e saj me qëllim që ai të shpjegojë kuptimin e kërkimeve të tij.
Xavier Gabaix, megjithëse i aftësuar për profesor matematike, ju keni zgjedhur udhën e ekonomisë. Përse ?
E kam zbuluar ekonominë në laboratorin Delta të kampusit Paris-Jourdan, ndërsa studioja për matematikë në Shkollën normale superiore. Për mua ka qenë si një shpallje, ajo e "botës reale" në njëfarë mënyre. Dhe vëreja se kishte fare pak përgjigje bindëse ndaj disa çështjesh të zjarrta si : nga vjen rritja ekonomike ? po krizat ? Në dallim nga fizika për shembull, shkenca ekonomike është një disiplinë e re, për të cilën kufiri i dijes është mjaft pranë asaj çfarë dinë të gjithë : për rrjedhojë, për të përshkruar dhe shpjeguar, aty është e mundur të hidhen ca ide teorike duke përdorur një gjuhë më të fuqishme se intuita, me ç’rast, gjuhën matematike.
Përdorimi i gjerë i matematikës për të modelizuar ekonominë, a nuk ka qenë kritikuar sidoqoftë si tepër thjeshtëzuese për t’i shpjeguar dukuritë ekonomike ?
Teoria ekonomike ka shtruar si postulat racionalitetin e pafundëm të vepruesve ekonomikë, dhe matematika shërben në fakt për përshkrimin e një racionaliteti të pakufizuar. Por synimi im është që të fus në teori pak më shumë "racionalitet të kufizuar", domethënë idenë se vepruesit s’mund të mendojnë për të gjitha pasojat e veprimeve të tyre, për të gjithë skenarët. Dhe është pikërisht matematika ajo që mundëson modelizimin e pasojave të këtij racionaliteti të kufizuar. Për teorinë ekonomike klasike, dukuritë ekonomike shpërndahen sipas një kurbe të Gaussit (në formë këmbane), dhe modelizimi arsyeton përgjithësisht duke u nisur nga mesataret, nga agregatet (secila prej vlerave bazë të veprimtarisë ekonomike kombëtare, si masa e eksporteve apo importeve, apo si prodhimi i brendshëm bruto – shënim i përkthyesit). Mirëpo, kërkimi ka treguar se, në lëme tejet të larmishëm, shpërndarja e objekteve, për shembull sipas madhësisë për qytetet apo sipas shpeshtësisë për fjalët e një teksti, i bindet ligjeve matematikore si ligjeve të Zipfit, sipas emrit të gjuhëtarit që i ka vënë ato në dukje.
Si zbatohen ligje të tilla ndaj racionalitetit të kufizuar të vepruesve ekonomikë ?
Në një artikull të Nature të shfaqur më 2003 dhe të shkruar bashkë me fizikanë, kam treguar se shpeshtësia e rënieve në bursë që kapin disa pragje (10%, 20%, 30%) i bindej të njëjtit ligj matematik si shpeshtësia e tërmeteve… Vëzhgimi i vëllimit të shkëmbimeve në bursë, madhësisë së firmave, ecurisë së rritjes, lejon gjithashtu që të pikasen ligje të tilla shpërndarjeje.
Çfarë mund të nxjerrin vepruesit, dhe në veçanti politika ekonomike, nga këto vëzhgime ?
Idenë se në gjirin e një shpërndarjeje ngjarjesh, më të skajshmet prej tyre – veçanërisht vendimet e shoqërive më të mëdha, shkëmbimet më të rëndësishme në bursë, qoftë dhe të kufizuara në një ditë apo dhe në disa orë – kanë, në kundërshtim me çka thotë teoria e ekuilibrit të tregjeve, një pasojë makroekonomike më të rëndësishme se mesatarja e ngjarjeve. Do të ishte pra me vend – por nuk rrezikoj ta pohoj – që të kufizohet madhësia e ndërmarrjeve apo e disa aktorëve financiarë. Nuk është e nevojshme që krizat, krashet, fluturimi në qiell i disa shpërblimeve, të shpjegohen nëpërmjet "mendjeve kafshërore" (sjelljes iracionale), siç thoshte Keynes, apo nëpërmjet "tronditjeve teknologjike", por thjesht nëpërmjet pasojës së heterogjenitetit të aktorëve dhe ndikimit të atyre që, për nga dinamika e tyre, kanë arritur një madhësi të tillë që të rëndojnë mbi tërësinë e sistemit. Shkaqet e ecurive makroekonomike janë për t’u kërkuar tek rregullat, në thelb fare të thjeshta, të ecurive mikroekonomike. Synimi im nuk është që të zbuloj një racionalitet të fshehur, por të tregoj se, pavarësisht iracionalitetit dhe keqfunksionimeve të sistemit, ky sistem është i parashikueshëm në tërësi. Dhe kjo mundëson kuptimin dhe rregullimin e tij.
CV
2011 Xavier Gabaix, i diplomuar në Shkollën normale superiore, i diplomuar për profesor matematike (1995) dhe një doktorature në ekonomi në Harvard (1999), merr Fischer Bank Prize, të dhënë nga American Finance Association, dhe Bernacer Prize, të dhënë ndaj një ekonomisti të ri europian në makroekonomi dhe financë.
2010 Profesor finance në Stern School of Business të Universitetit të New York. Është gjithashtu kërkues në National Bureau of Economic Research (NBER, SHBA) dhe në Center for Economic Policy Research (CEPR, Londër), dhe anëtar i Këshillit të analizës ekonomike (CAE, Paris).
1999 Jep mësim në Massachusetts Institute of Technology, deri më 2007.
Le Monde, 23 Maj 2011




del.icio.us
Digg

Post your comment