Home | Business | Mashtrimi më i madh në histori ?

Mashtrimi më i madh në histori ?

image
Bankat janë pasuruar duke i rigrupuar hipotekat dhe duke ua rishitur në formë produkti financiar investuesve, si për shembull, regjimeve të pensioneve.

 

 

 

 

 

Përkthyer nga Urim Nerguti

 

 

Përfytyroni skenën. I papunë që prej muajsh, ju duhet t’i dorëzoni çelësat e shtëpisë suaj në bankë. Jo një, por tre përfaqësues bankash të ndryshme ju trokasin në derë. Secili prej tyre mban në dorë një akt pronësie mbi shtëpinë tuaj. Pas verifikimit, që të treja letrat janë… fallco ! Dhe kurrkush nuk e di kush e zotëron shtëpinë tuaj.
Mendonim se i kishim parë të gjitha nga bankierët e Wall Streetit. Por Foreclosure Gate (skandali i sekuestrimeve) mund të rrahë sërish rekordet e mashtrimit financiar… dhe të na zhysë të gjithëve në zemër të një krize të re.
Në SHBA-ës, nga 2004 deri 2007, bankat e mëdha kanë pranuar pa vetëpërmbajtje miliona kredi hipotekore. Edhe një pastruese që fiton 10 dollarë ora mund të merrte me kredi një shtëpi 500 000 dollarshe (361 000 euro). Bankat janë pasuruar duke i rigrupuar hipotekat dhe duke ua rishitur në formë produkti financiar investuesve, si për shembull, regjimeve të pensioneve.
Mirëpo, kur ju këmbeni mijëra hipoteka në ditë, atëherë bëhet e gjatë dhe e kushtueshme të shkosh tek noteri çdo herë. Dhe kështu, bankat kanë krijuar sistemin e tyre të vet të informatizuar (të quajtur MERS) për të regjistruar veprimet e shit-blerjeve.
Sot, miliona Amerikanë humbasin punën dhe duhet t’i dorëzojnë çelësat e shtëpisë në bankë. Vetëm se ka një problem : regjistrimet MERS përmbajnë fare pak hollësira dhe nuk vlejnë asgjë në sytë e mjaft gjykatësve të cilët autorizojnë procesin e sekuestrimit të një hipoteke. Për t’i marrë shtëpitë, bankat duhet të paraqesin një akt të noterizuar. Të paafta të gjejnë dokumentet origjinale – të prishura apo të humbura –, dhe as të rindërtojnë zinxhirin e përcjelljes së pronave të hipotekave, shumë banka mund të kenë vendosur të fabrikojnë dokumente të rreme dhe i kanë legalizuar nga avokatë të paskrupullt (njëri prej tyre pohon madje se ka legalizuar 10 000 në muaj). Përfundimi : rrëmujë e plotë në tërë vendin. Tani, të njëjtën shtëpi e kërkojnë disa banka njëherësh, dhe të zotët e shtëpisë janë nxjerrë përjashtë pa të drejtë.
Skandaloze ? Prisni, prisni, e keqja vjen më pas. Sipas një numri gjithnjë e më të madh analistësh, nëse bankat kanë krijuar sistemin MERS (i cili, le ta rikujtojmë, prodhon dokumente me fare pak hollësira mbi hipotekën dhe marrësin e kredisë), kjo nuk ishte thjesht për të kursyer ca kacidhe. Por ishte për t’iu rishituar investuesve, urtë e butë, me tonelata hipoteka mashtruese (të cilat përmbanin informacione të rreme mbi marrësin e kredisë, ose që nuk respektonin disa kushte bazë). Pa dokumentacion të mjaftueshëm, blerësit e këtyre produkteve nuk mund ta verifikonin cilësinë siç duhet. Këtu po flasim për një mashtrim madhor, në shkallë vendi.
Nëse faktet – që po grumbullohen disa-ditës – do të mbështesin këtë teori, atëherë bankat e mëdha do të përballen me një mal padish gjyqësore. Ato do t’i humbasin të drejtat e tyre mbi mijëra shtëpi. Janet Takavoli, eksperte financiare në SHBA-ës, flet për një çarje të mundshme prej më shumë 700 miliardë dollarësh (505 miliardë eurosh) për bankat. Me fjalë të tjera : falimentim për shumë prej tyre.
Taksapaguesit amerikanë nuk do të pranojnë më të paguajnë edhe njëherë për bankierët. Sidomos në këtë kontekst. (Politikanët, që marrin miliona si ndihmesa politike nga Wall Street, kjo është histori tjetër…) Një paaftësi e tillë, e shoqëruar me një synim kriminel, nuk meriton tjetër veç një gjë : që t’i lënë këto banka të falimentojnë – në mënyrë të rregullt – dhe njëherë e mirë. Le që kjo duhet të ishte bërë që para dy vjetësh.

 

David Descôteaux


(Anëtar i Katedrës së Studimeve Politike dhe Ekonomike Amerikane në Universitetin e Montrealit)

 

Le Monde, 29 Tetor

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00