Home | Politics | Rënia e fuqive perëndimore

Rënia e fuqive perëndimore

image
Globalizimi përfundoi në bangën e të akuzuarve, jo aq sepse zgjeroi hendekun...

 

 

Manlio Graziano

 

Globalizimi përfundoi në bangën e të akuzuarve, jo aq sepse zgjeroi hendekun mes më të pasurve dhe më të varfërve, por sepse ngushtoi hendekun mes vendeve të pasura dhe vendeve të varfëra. Në imagjinatën kolektive, ngjitja e fuqive të reja transformohet në spektrin e miliona të varfërve të cilët, në vend se të rrijnë aty ku i ka vënë natyra, kanë pretendimin absurd që të bëhen të pasur.

 

Frikë. Nuk është vetëm titulli i librit të Bob Ëoodëard mbi Donald Trumpin. Eshtë edhe gjendja shpirtërore, gjithnjë e më e përhapur mes zgjedhësve të vendeve që, një herë e një kohë, quheshin të pasur.

 

Muajin e kaluar, me rastin e përvjetorit të 10 të falimentimit të Lehman Brothers, simbol i kolapsit financiar të 2008-ës, u diskutua mes të tjerash për rolin e asaj krize për stimulimin e valës “populiste” në SHBA dhe në shumë shtete evropiane. “Financial Times” ftoi dy grupe të kundërvënë: po, “populizmi” lindi prej asaj krize, sepse një pjesë e popullsisë së vendeve më të goditura vuajti e vetme pasojat; jo kish lindur më herët, qysh prej valës së mosbesimit ndaj politikës, gjeneruar nga lufta në Vietnam (të paktën për Amerikën).

 

Këtu po hedhim një hipotezë të tretë: tendenca për populizmin ka lindur më herët (dhe jo vetëm në Amerikë), më pas impakti i krizës së 2008 e nxorri në pah dhe e përgjithësoi.

 

Por parasëgjithash duhet të kuptohemi për argumentin që po flasim: jo për të sjellë përcaktimin e radhës të “populizmit”, por për të shmangur ekuivoket. Elementi i përbashkët i të gjithë të ashtuquajturave populizma është që të propozojmë zgjidhje në dukje të thjeshta për probleme komplekse, të një natyre epokale.

 

Që politika premton shpesh më shumë nga sa mund të mbajë, kjo nuk është gjë e re: presidenti francez, Jacques Chirac, më i ndershëm dhe më shakaxhi se shumë të tjerë, thoshte se “premtimet elektorale angazhojnë vetëm ata që i besojnë”.

 

Por populizmi përbën një kërcim sasior, një vrapim me kërcime kaq të mëdha, saqë sasia përfundon duke transformuar cilësinë: jo vetëm premton atë që nuk e mban dot, por premton çdo gjë që duket se u pëlqen zgjedhësve, pa e vrarë shumë mendjen si do i mbajë premtimet. Populizmi shpall se lidhjet e realitetit duhet të shkëputen, dhe e bën me të njëjtën arrogancë (por me më shumë fat elektoral), se ata të viteve ’68 që kërkonin “të pamundurën”.

 

Lidhja e realitetit që populistët e sotëm dhe zgjedhësit e tyre do të donin të shkëpusnin është në thelb kjo: që bota po ndryshon. Populizmi ecën përpara mbi të gjitha në vendet që, gjatë 4 shekujve të fundit, e kanë dominuar botën; ngjitja e konkurrentëve të rinj ndërkombëtarë nxjerr nevojën e bashkëndarjes së pushtetit dhe pasurisë, të cilat në të kaluarën ishin monopol i fuqive “të vjetra” (SHBA, Evropë e Japoni).

 

Kjo kohë ka marrë fund thuhet, ose kriza e 2008 bën të ndjehet se mund të marrë fund së shpejti. Globalizimi përfundoi në bangën e të akuzuarve, jo aq sepse zgjeroi hendekun mes më të pasurve dhe më të varfërve, por sepse ngushtoi hendekun mes vendeve të pasura dhe vendeve të varfëra. Në imagjinatën kolektive, ngjitja e fuqive të reja transformohet në spektrin e miliona të varfërve të cilët, në vend se të rrijnë aty ku i ka vënë natyra, kanë pretendimin absurd që të bëhen të pasur.

 

***

 

Nëse ankthet janë produkt i botës që ndryshon, zgjidhja populiste konsiston në pengimin e ndryshimeve. Apo më mirë: kthimin mbrapa. Kjo shpjegon nga pikëpamja leksikore, edhe shprehjet që të kthejnë në të kaluarën: “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, apo “Na ktheni vendin tonë mbrapsht”. E gjitha një thirrje që të rikthehet e kaluara, e supozuara epokë e artë që e kemi lënë pas. Gjithçka që është e re – një linjë hekurudhore, një gazsjellës, një ndryshim kushtetues – refuzohet; duke ecur sëprapthi takohet jo vetëm “rënia e lumtur”, por edhe kohërat e bukura kur poliomeliti dhe meningjiti kryenin të lumtur veprën e tyre të seleksionit darvinian. Rikthehet pashmangshmërisht edhe nostalgjia për një kokë turku, të cilës t’i vishen fajet e krizave dhe epidemive që do të shoqërojnë rënien e lumtur. Në Mesjetë ishin hebrenjtë, nesër do të jenë imigrantët, më mirë nëse janë myslimanë, se edhe mund të akuzohen për mashtrim.

 

Atdheu i populizmit është SHBA. Shpejtësia me të cilën janë pasuruar amerikanët ka prodhuar në mënyrë periodike një ankth, të lidhur me frikën se mos humbej ajo që sapo ishte fituar. Që nga mesi i Tetëqindës, të ashtuuajturit “nativistë” patën ankthet e tyre kundrejt imigrantëve irlandezë (të cilët kishin kontribuar për krijimin e asaj pasurie që “vendasit” kishin frikë mos e humbnin); pas krizës së vitit 1893, edhe shumë irlandezë tashmë të integruar shtuan radhët e partisë së sapolindur populiste kundër bankave, hekurudhave, përqëndrimeve industriale, dhe natyrisht imigrantëve të rinj – italianë, polakë, kinezë – që gjykoheshin si të egër dhe të pa-asimilueshëm.

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, miliona “jakëblu” – brezat e dytë dhe të tretë të imigrantëve që kishin pasuruar Amerikën, dhe nga pak edhe veten e tyre – u shndërruan në klasën e mesme mitike periferike, ajo e shtëpive me garazhd dhe kopsht para derës. Edhe ata, ndërko që shijonin gjithë të mirat e mënyrës amerikane të jetesës, ushqenin një ndjenjë të përhershme ankthi. Në një prej teksteve më të famshëm të asaj kohe – “Bindësit okultë” të Vance Packard (1957) – ka një përshkrim të psikologjisë dominuese të shtresëzimit të ri social: “E druajtur kundrejt botës së jashtme… nuk ka nevojë për origjinalitet… ka prirjen të shohë gjithçka që është jashtë botës së saj të vogël, si të rrezikshme dhe kanosëse… jeta e saj emocionale është shumë e kufizuar… siguria janë muret e shtëpisë”. Nuk kishte në atë kohë, asnjë justifikim tjetër për ato ankthe, përveç frikës se mos humbej mirëqenia e saposiguruar.

 

Se në çfarë mase ankthi mund të përkthehet në zhvillime politike, kjo varet nga konteksti. Në Amerikën e viteve pesëdhjetë, ajo shtresë që po dilte në pah ishte në origjinë të rikthimit të republikanëve në krye, për herë të parë pas katastrofës së 1929-ës. Një kthesë, sigurisht, por gjithësesi e vogël. Më shumë një rrëmujë se sa kthesë ajo e Italisë në vitet 1990: pasi kishte arritur në dekadën paraardhëse, një nivel mirëqenieje të panjohur më parë, italianët u gjendën përballë nevojës për të hequr dorë nga shpenzimet e kollajta publike, me qëllim anëtarësimin në klubin evropian; dëshira për t’u kapur pas aventurës evropiane (në atë kohë dinamike dhe premtuese), por pa paguar detyrimet, u përkthye në mohimin në masë të partive që e kishin sjellë Italinë deri aty, si dhe në ngjitjen elektorale të atyre që premtonin, “një mrekulli të re italiane”.

 

Frika e madhe e 2008-ës ë përgjithësoi atë ankth: nuk janë “humbësit e globalizimit”, siç thuhet, që votojnë për populistët (në zgjedhjet amerikane të 2016, 78% e zgjedhësve me paga më të ulëta abstenuan), por ata që kanë frikë mos humbasin diçka. Për momentin nuk kanë humbur asgjë, ose pothuaj asgjë: statistikat thonë se, mesatarisht, evropianët, amerikanët dhe japonezët janë më të pasur sot, se sa ishin në fillim të shekullit. Por janë edhe sepse vendet e tyre kanë vazhduar të shpenzojnë, njësoj si kur dominonin botën, dhe mund të nxisnin të tjerët të paguanin faturën.

 

Në një libër të vitit 2010, ekonomistët Stephen Cohen dhe Brad DeLong kanë vërejtur se “kur mbarojnë paratë”, një fuqi e madhe mund të mbshtetet në akumulimin e borxhit të vet ndërkombëtar për t’u garantuar qytetarëve një nivel të lartë jetese; megjithatë “fundi është i pashmangshëm: duhet që të bëhen, të pranojnë që janë bërë dhe të sillen si një vend Normal. Për Amerikën do të jetë një tronditje”.

 

Vala goditëse e asaj tronditjeje po zgjerohet. Kandidatët e rinj “demokratë socialistë” në SHBA kërkojnë të pamundurën, ashtu si gjyshërit e tyre në 1968-ën, dhe premtojnë begati e lumturi për të gjithë: edhe ata, në fund të fundit, mendojnë që Amerika mund të rikthehet të bëhet e madhe, domethënë tek një e kaluar që nuk është më.

 

“Pushteti i vërtetë – ka thënë Donald Trump – lind nga frika”. Kundërshtarët e tij i besojnë nevojave të zgjedhësve për të besuar në mrekulli. Por, propblemi është se tek mrekullitë besojnë pikërisht ata që kanë frikë.

“La Lettura”/bota.al

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00