Home | Literature | Luis Sepúlveda: Borges dhe unë

Luis Sepúlveda: Borges dhe unë

image
Luis Sepúlveda, shkrimtar i shquar kilian...

 

 

Luis Sepúlveda i ndjerë, shkrimtar i shquar kilian, pati lënë në “Centro Virtual Cervantes”, këtë përshkrim të mahnitshëm të takimit të tij me Jorge Luis Borges:

 

Nuk më kujtohet saktësisht se kur pati ndodhur, por tashmë pak rëndësi ka kjo gjë, gjithsesi më ka mbetur ngulitur thellësisht në kujtesë një kaleidoskop i plotë pamjesh që së pari ma shpërfaqin qytetin e Këlnit, shëmtinë e llahtarshme gotike të Domm-it, katedrales së famshme, paskëtaj një tramvaj dhe duke udhëtuar brenda tij, unë, që mallkoja lagështinë teksa kërkoja me ankth faqen e humbur të një leximi të lënë pezull nga një vepër e titulluar El Libro De Los Seres Imaginarios (Libri i Qenieve të Shajnitura), ku do të lexoja për të shumtën herë historinë e Goofus Bird, asaj qenie që në secilin lexim ma fanit sërish një pamje të vetvetes duke më përfshirë fort këndshëm nëpër shtazoret e Cortázar apo të Zötl. Pamjet vijuese shquajnë një tjetër ngrehinë të neveritshme, që është Radio e Jashtme Gjermane, e më tutje kundroj dhe dëgjoj veten time duke bredhur nëpër korridoret e saj të mugëta në të cilët, në ato raste të pakta kur e pata vizituar këtë radio, qeshë përhumbur pareshtur. Befas përballem me një sajesë danteske, njëfarë gjëje të quajtur Pater Noster, një lloj Rripi Möbius që shpie njerëzinë nga njëri kat në tjetrin. Pater Noster: dy paralelopipedë në mur, njëri lartësohet, tjetri zbret. Në një kat të caktuar, unë, ndiej mëdyshje lebetitëse, çfarë të ndodhë vallë nëse ngjitem gjer në katin e fundit dhe nuk kridhem përjashta kësaj vrime? A do të zbres vallë kokulur mes orvatjesh dramatike për të mos e këputur qafën? Ja ku jam pra, kundruall kësaj sajese mekanike që nuk resht së lëvizuri, teposhtë apo së larti, e krejt befasisht, në këtë zgavër të lëvizshme, pikas kalimin e siluetës së pangatërrueshme, të hareshme, thuajse të tejdukshme të Borges.

Rend në pikë të vrapit duke përshkuar dy palë kate shkallë, që të arrij përpara Pater Noster-it, ia prek lehtas njërën dorë të verbrit të njohur botërisht dhe i them atij: “Borges, hidh një hap përpara kur të të them unë”.

Dora e Borges është e ftohtë, një çikë e djersitur. Ka njëfarë arome ujë kolonje që seç ma përkujton fëmijërinë. Nuk ia shtrëngoj dorën, por bindem më tepër se kockat e tij janë fort të brishta. Zbresim, dhe diku mes katit që kemi lënë mbrapa më lart, dhe tjetrit syresh që përvijohet teposhtë, Borges thotë thuajse duke murmuritur: “Çfarë sajese djallëzore qenkërka kjo vallë?”

As që marr mundimin ta pyes si pati hyrë në Pater Noster. Thjesht e shoqëroj në dhomën e regjistrimit ku gjindja e presin të angështuar plot nervozizëm. Aty, gjithaq nuk tregoj ku e pata takuar, e Borges aq më pak ta përmendë incidentin në fjalë. Kur ndahem me të, Borges ngre kryet dhe unë arrij t’i shquaj tiparet e fytyrës time tek shpërfaqen në sytë e tij, padyshim më të aftë për të soditur mrekullitë e përfytyrimit njerëzor, sesa frytet e thata të kotësisë. “Si e ke emrin?” më pyet ai, ndërsa unë rrekem të shpik ndonjë emër islandez që jetë sinonim i saktë i rastësisë, por sakaq prapë ia përsëris emrin tim të vërtetë, kaq lehtësisht të harrueshëm për krejt burokratët e kësaj bote.

Asnjëherë nuk e takova sërish, por kaleidoskopi i radhit qelqet e veta dhe tanimë tregon varrin e tij në Gjenevë, ku pata qenë zhytur në vetmi e heshtje, duke dëshiruar ethshëm të zgjohem, ose të plandosem në gjumin nga i cili shpesh më duket se padrejtësisht më patën zgjuar. Një gjumë i çliruar nga kaleidoskopi dhe shprehia acaruese për ta shtrembëruar të tashmen.

 

 

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00