Home | Science | Vaksina BCG, Covid-19, ndikimi

Vaksina BCG, Covid-19, ndikimi

image
Vaksina BCG vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm në...

 

 

Nga Prof. Dr. Genc Sulçebe

 

 

Profesori i Imunologjisë, Genc Sulçebe:

Vaksina BCG vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjes së tuberkulozit në të gjitha moshat, por veçanërisht te fëmijët, deri sa kur me përdorimin e gjerë të antibiotikëve si dhe me rritjen e nivelit të higjienës së përgjithshme, infeksioni nga bakteri i tuberkulozit nuk u bë më një problem i rëndësishëm në shëndetin publik.

 

Ishte viti 1921 kur dy shkencëtarë franceze, Albert Calmette dhe Camille Guerin, në Institutin Pasteur, Francë, arritën të përftonin një variant të bakterit të tuberkulozit të gjedhit, të padëmshëm për njeriun, por që jepte një mbrojtje të kryqëzuar edhe ndaj bakterit të tuberkulozit të njeriut.

 

Ata e arritën këtë duke e kaluar këtë bakter me dhjetëra herë në kulturë laboratorike, derisa mbërritën në variantin e padëmshëm të tij. Kur ky bakter i dobësuar injektohej te njeriu, ai nuk shkaktonte sëmundje, por mundësonte një imunitet të qëndrueshëm edhe ndaj bakterit të tuberkulozit të njeriut. U deshën disa vjet që të pranohej efektiviteti i kësaj vaksine që u quajt BCG (Bacili i Calmette dhe Guerin) dhe ajo filloi të përdoret për t’u mbrojtur nga tuberkulozi në vitin 1928.

Oppfriskningsvaksiner for voksne - FHI

 

E aplikuar që në vitin e parë të jetës te fëmijët apo dhe në vazhdim, kjo vaksinë luajti një rol të rëndësishëm në parandalimin e formave të rënda të tuberkulozit, të cilat ishin me pasoja shpesh fatale për jetën. Vaksina BCG vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjes së tuberkulozit në të gjitha moshat, por veçanërisht te fëmijët, deri sa kur me përdorimin e gjerë të antibiotikëve si dhe me rritjen e nivelit të higjienës së përgjithshme, infeksioni nga bakteri i tuberkulozit nuk u bë më një problem i rëndësishëm në shëndetin publik.

 

Si pasojë, shumë vende, sidomos ato të zhvilluara, e hoqën aplikimin e detyruar të kësaj vaksine. Kështu, në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore si dhe në Amerikën e Veriut, kjo vaksinë nuk është më në kalendarin e vaksinave të detyruara. Ndërkohë, në shumicën e vendeve të Europës Lindore si dhe në Azi apo në Amerikën Latine, vaksina e BCG vazhdoi të jetë në kalendarin vaksinal si vaksinë e detyruar, që aplikohet në vitin e parë të jetës.

 

Dy studiues danezë, Peter Aaby dhe Christine Stabell Benn, vunë re në Afrikë se vaksina BCG mund të japë një mbrojtje imunitare dhe ndaj infeksioneve të tjera, kryesisht ato virale. Mihai Netea, një studiues në Qendrën Mjekësore të Universitetit Radboud në Holandë, hodhi hipotezën se imuniteti i nxitur nga vaksina BCG mbron jo vetëm nga infeksioni tuberkular, por edhe nga infeksione të tjera, si p.sh ato virale.

 

Vaksina BCG përbëhet nga baktere të gjalla, të cilat në individët me sistem imunitar normal nuk shkaktojnë sëmundje, por realizojnë një nxitje aktive të imunitetit specifik edhe ndaj mykobakterit të tuberkulozit njerëzor. Ky imunitet aktiv nuk realizohet me antitrupa mbrojtës specifike si shumë vaksina të tjera, por me qeliza të specializuara të imunitetit si janë limfocitet T. Ka mundësi, pra, që imuniteti qelizor, i cili nxitet nga vaksina BCG, të shkaktojë një efekt mbrojtës jo specifik.

 

Ky efekt është quajtur “imunitet i stërvitur”, në ndryshim nga imuniteti i lindur, i gatshëm që në lindje, apo dhe nga imuniteti i fituar, specifik për mikroorganizmat. Pas dy studiuesve danezë, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë në dukje se në vendet në zhvillim, vaksina e BCG mund të këtë një efekt mbrojtës edhe ndaj infeksioneve të tjera.

 

Është një fakt tashmë i njohur se incidenca e infeksionit nga COVID-19 është më e ulët në vendet që vazhdojnë të aplikojnë vaksinimin e detyrueshëm ndaj TBC, në krahasim me vendet ku kjo vaksinë është fakultative. Po kështu, u vu re që në fillim të epidemisë nga COVID-19 në Lombardi të Italisë se në komunitetet ku kishte me shumicë ekstrakomunitarë si indianë, pakistanezë, senegalezë etj. pra, vende ku vaksina BCG është e detyruar, këta individë nuk sëmureshin nga COVID-19, ndërkohë që sëmundja ishte e përhapur ndër banorët italianë, ku kjo vaksinë nuk ishte aplikuar.

 

Është për t’u përmendur fakti se kjo vaksinë u aplikohej ekstrakomunitarëve me detyrim nga qendrat shëndetësore italiane. Duke iu referuar virologut dhe epidemiologut të mirënjohur, prof. Eduard Kakarriqi, vaksina BCG në Shqipëri ka filluar të aplikohet në mënyrë të detyrueshme që në vitin 1960. Ata që kanë lindur pas kësaj date mund të kenë marrë këtë vaksinë në mënyrë të përsëritur, nga 2 deri 6 herë gjatë fëmijërisë se tyre, pra, mbulimi vaksinal me këtë vaksinë në vendin tonë është mjaft i mirë.

 

Ky mund të ishte dhe një faktor shtesë pse popullata shqiptare mund të jetë më e mbrojtur nga COVID-19 në krahasim me popullatat ku vaksina e tuberkulozit nuk është më e detyruar prej vitesh. Faktet e mësipërme kanë nxitur disa studiues (Miller et al. MedRxiv doi: https://doi.org/10.1101/ 2020.03.24.20042937) të analizojnë lidhjen midis vaksinës së BCG dhe sëmundshmërisë nga COVID-19.

 

Nga kjo analizë ata konkluduan se vaksina BCG ka gjasa se mund të shkaktojë një mbrojtje afatgjatë ndaj koronavirusit aktual. Por kritikë të këtij studimi vënë në dukje se kjo lidhje mund të mos jetë shkakësore, por nga faktorë të tjerë të lidhur me moshat e ndryshme, testimet etj. Duke u nisur nga këto hipoteza, disa kërkues në Holandë, Australi, Francë dhe Spanjë janë nxitur që të studiojnë efektin e vaksinës BCG, pikërisht tani, në momentin e pandemisë nga COVID-19.

 

Studiuesi Mihai Netea në Holandë ka organizuar tashmë hulumtimin e efektit të vaksinës së BCG në 1000 individë nga personeli shëndetësor i këtij vendi, të cilëve do t’u aplikohet me short vaksina e BCG ose një imitim i saj dhe në vazhdim do të krahasohen të dyja grupet për efektin e kësaj vaksine. Po këtë studim ka ndërmarrë dhe një grup tjetër në Australi. Nëse studimet në këtë drejtim do të japin rezultat pozitiv, do të bëhet e mundur që vaksina e BCG të përdoret për të mbrojtur grupet e rrezikuar, si p.sh personelin shëndetësor apo dhe individët e moshuar si dhe ata me faktorë risku.

 

Shpresohet se kjo vaksinë do të mund të parandalojë infeksionet e rënda në këto grupe ose do të pakësojë rëndësinë e tyre. Do të duhen disa javë ose muaj që të dalin rezultatet e para mbi efektin e kësaj vaksine mbi incidencën e infeksionit ndaj COVID-19.

 

Rezultatet e këtyre studimeve do të tregojnë nëse efekti mbrojtës i vaksinës së BCG është real, pra, direkt i lidhur me të apo ai vjen nga faktorë të tjerë që lidhen në mënyrë indirekte me vaksinën e BCG./ PANORAMA.al

 

Titulli i autorit: Rivlerësimi i një vaksine 100 vjeçare në kohën e COVID-19

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00