Home | Opinion | Çfarë po e pengon përparimin e shqiptarëve

Çfarë po e pengon përparimin e shqiptarëve

image
Akoma në Shqipëri nuk ka stabilitet politik as ekonomik, por vijojnë të sundojnë njerëz të korruptuar...

 

 

Nga Gjon NEÇAJ

 

 

Këto vite te stërgjatura të tranzicionit shpesh herë është hedhur në diskutim të lirë në aktualitetin shqiptar, se çfarë na pengon të ecim përpara, madje jo vetëm për shqiptarët e shtetit amë, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi. Duke e shikuar në disa këndvështrime aktualitetin mbarë shqiptar e kudo në trojet e tjera etnike, ende gjendemi përballë një turbulence të përgjithshme, ku, së pari mbizotëron kaosi politik, varfëria ekonomike, papunësia, emigracioni i pafund e shumë fenomene të tjera.

 

Largimet nga puna, reformat e dhimbshme, por mbase të duhura, përbëjnë humbjen e shpresës si në Shqipëri dhe në Kosovë për shumicën e të rinjve dhe po mësyjnë ikjen nga atdheu. Ikjet, ndonëse tashmë Europa është treguar e “ashpër” për azilantët shqiptarë, janë për motive ekonomike. Akoma në Shqipëri nuk ka stabilitet politik as ekonomik.

 

Akoma në Shqipëri nuk ka stabilitet politik as ekonomik, por vijojnë të sundojnë njerëz të korruptuar, të cilët çdo ditë pasurohen me lekët e taksapaguesve shqiptarë, duke abuzuar me fondet e shtetit, korrupsionin pasiv dhe me tenderat. Këto abuzime cilat bien mbi sovranin e lodhur dhe të sfilitur prej një çerek shekulli me gënjeshtra e spekulimet, me një drejtësi që nuk pranon dekriminalizim e reformë, e një mijë e një qind problem të tjera tashmë grumbulluar qeverisë Rama, mbi kurrizin e së cilës bien fajet e politikës 25-vjeçare të shqiptarëve.

 

Çuditërisht e njëjta situatë politike dhe ekonomike sundon edhe në Kosovë, ku pakënaqësia popullore ka arritur kulmin. Politikanë dhe pushtetarë të mefshtë, të korruptuar, i kushtojnë më shumë rëndësi paraqitjes së tyre të jashtme para mediave, se sa për të përveshur llërët për zgjidhjen e problemeve akute që ka shteti i Kosovës në shumë plane, e veçanërisht shqiptarët në Mitrovicë, në Kosovën Lindore etj.

 

Akoma nëpër Europë shfaqet fenomeni ku qindra kosovarë me familjet e tyre ende trokasin dyerve të ambasadave serbo-malazeze për një pasaportë, apo dokument tjetër të këtij lloji e ku duhet të deklarojnë shtetësinë serbe për çështje dokumentash, veprime këto që detyrimisht janë të imponuara nga zyrtarët e vendeve ku kosovarët gjenden si azilantë gjatë viteve.

 

E dhimbshme, por e vërtetë. Sovrani nuk kërkon që ne të hamë me lugë të florinjtë, siç shpreheshin në fillimvitet nëntëdhjetë disa trutharë që nga mungesa e përvojës në politikë mbetën të shpëlarë para tij, por të paktën të ruajmë disa vlera si komb dhe t’i zhvillojmë ato duke përqafuar vlerat e kohës, duke u ndarë përfundimisht nga ky tranzicion i dhimbshëm, duke marrë fund reformat institucionale, duke garantuar ato çka shkruan ligji themeltar i shtetit, kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e gjyqtarët e “plepave” të dalin në pension tashmë se kanë plotësuar vitet e punës.

 

Nxënësit e shtetarëve, politikanëve dhe ligjvënësve të vazhdojnë studimet bashkarisht me fëmijët e malësorëve të Nikaj Merturit në Tropojë, drejtuesi vendor, deputeti, pas përfundimit të mandatit, ta kenë peshën trupore më të ulët e të jetojnë aty, në provincë, në banesën ekzistuese dhe mos të vrapojnë vilave luksoze të Tiranës të ndërtuar gjatë mandatit 4-vjeçar.

 

Në sistemet demokratike grupet e caktuar shoqërore e kryesisht ato të përcaktuara politike, programet që shpalosin në zgjedhjet elektorale, përcaktojnë ndryshimet pozitive të elektoratit, e ata sigurisht i besojnë katërcipërisht se fushatat zhvillohen në kahjen pozitive të mirëqenies së sovranit, për të qenë një shoqëri e civilizuar po se po, por veçanërisht në nivelet ekonomike të Europës, ku synojmë të arrijmë. Duam që ky popull i shumëvuajtur dhe i sfilitur ta shijojë vërtetë lirinë demokratike, duke u bërë ballkon frymëzimi për Ballkanin e më gjerë.

 

Dhe partitë politike kane përgjegjësi para elektoratit, prandaj duhet të shpalosin me përgjegjësi dhe të realizojnë programet e tyre jo vetëm në kohë fushatash, por vazhdimisht.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0