Home | Opinion | Politikë qesharake!?

Politikë qesharake!?

image
Ngritja e sistemit të ri të Drejtësisë do të nxjerrë të vërtetat...

    

 

Nga Riza Hoxha

 

 

Kjo klasë politike që nuk ia ka idenë se ç’do të thotë turp, nxjerr nga arsenali i saj i të sharave e mashtrimeve çfarë t’i vijë më për mirë për të goditur kundërshtarin e vet. Dhe bie e qetë në gjumë, vetëm kur ky arsenal ditor i mbarohet. Ndërsa nuk ia ka idenë të thotë një fjalë se si mund të dalim nga qerthulli i varfërisë dhe mjerimit që po rritet çdo ditë, ne shqiptarët, për ne më të varfrit e kontinentit plak?

 

Një klasë politike që duket sikur nuk i punon as mendja, as truri, sikur ka mbetur pa këto organe jetësore. I gjithë organizmi sikur i punon vetëm për të mashtruar popullin përmes të sharave të kundërshtarit. Dinë të fyejnë njëri tjetrin, ndërsa heshtin për çfarë i kanë bërë këtij populli ndër vite. Janë të njëjtë në artikulimin e të sharave e të gënjeshtrave sa duket sikur të gjithë janë të një nëne.

 

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaron se, “makthi i Ramës nuk është vetëm dosja 339, por tani edhe një dosje tjetër e re, dosja 184”. Dhe shton: “Ed Rama e di fare mirë se çfarë përmban ajo dosje”. Ai shton se “ne nuk e njohim këtë parlament ilegjitim”. Kryerja e LSI-së si një luftëtare e paparë thekson se “Jo gaz lotsjellës të përdorë Sandër Lleshi me lleshët e tij, ne i kemi marrë masat dhe do të përballemi me ta”.

 

PS kundërshton: “këta e kanë hallin te Vettingu. Ngritja e sistemit të ri të Drejtësisë do të nxjerrë të vërtetat. Kjo i tmerron ata”, theksojnë drejtuesit e lartë të PS-së. Të gjithë kundër të gjithëve. Ndërsa pa e prishur terezinë qëndrojnë dhe mbushin xhepat e tyre me milionat, edhe pse e dinë fort mirë si po zaptohet ky vend nga varfëria në rritje. Për këtë as nuk u bëhet vonë. Sepse e dinë se pa varfërimin e shumicës nuk mund të vijë pasurimi i pakicës (i tyre si një grup oligarkik, krejtësisht pa asnjë lloj morali).

 

Çdo ditë kjo klasë politike na tregon se sa poshtë i ka rënë morali. As të artikulojë qoftë një të vërtetë nuk ia ka idenë. Ja, ne shqiptaret vetëm po varfërohemi. Këtë e ndjejmë të gjithë në familjen tonë. Varfërinë që “ka pushtuar” Shqipërinë nuk e ndjen vetëm një grup oligarkësh të majtë e të djathtë që tashmë kanë shkatërruar tërë Shqipërinë. Ndaj asnjëri nuk e mban përgjegjësinë për këtë varfëri në rritje. Është kjo arsyeja që kjo klasë politikë është bërë e neveritshme për shqiptarët që ia kanë parë të gjithë të zezat. Bile edhe kur një pjesë e saj la mandatin e deputetit. Që në mënyrën më idioteske dhe pa turp i ndau shqiptarët në të ndershëm e të pandershëm. Idiotizmi i kësaj klase politike tashmë ka kapur majat. Pasi e ka plaçkitur këtë vend, arrin edhe ta fyejë. Një fyerje e çuditshme, kur e quan shqiptarin të pandershëm, ndërsa vetveten e quan paturpësisht “të ndershëm”. Edhe pse e di mirë se shqiptarët e kanë pësuar shumë prej saj. Aq sa edhe këto ditë po kërkojmë së bashku “liri – demokraci”, “e duam Shqipërinë si Evropa”. Kanë kaluar afro 30 vjet, kur i artikuluam këto thirrje, atë ditë dhjetori. Kjo klasë politike na ka lënë në vendnumëro. Ajo na ka lënë peshqesh në vatër vetëm malin e varfërisë dhe të mjerimit.

 

Tashmë ne shqiptarët e dimë mirë se as të organizojmë vetëqeverisjen nuk jemi të aftë. Pasi kemi një klasë politike që di vetëm të vjedhë e të mbushë xhepat e saj, përmes organizimit të një gjysmë shteti krejtësisht familjar. Dhe kur ndokush e kundërshton, menjëherë hidhet në sulm ndaj kundërshtarit. Kështu ndodhi edhe këto ditë, kur mbi delegacionin e parlamentit evropian u hodh një mal me të shara. Vetëm pse anëtarët e tij kundërshtuan djegien e mandateve të deputetit. Drejtuesit më të lartë të LSI-së thanë se, anëtarët e këtij delegacioni le të zgjidhin problemet e tyre në kuadër të zgjedhjeve që kanë në prill. Sot ata nuk përfaqësojnë më asgjë, janë deputetë në ikje”. Thuajse të njëjtën gjë, artikuluan edhe drejtuesit më të lartë të PD-së.

 

Këta politikanët tanë artikulojnë çfarë u vjen në mendjen e tyre të mykur. Sa për shqiptarët, dihet farë mirë, se tashmë ata kanë besim te miqtë ndërkombëtarë dhe jo te palo politikanët tanë. Kaq gjë e dinë mirë ata, e dinë mirë edhe miqtë ndërkombëtarë që nuk na ndahen në përpjekjet e tyre për t’i ardhur në ndihmë këtij populli të zhuritur për pakëz drejtësi, për pakëz shtet. Sepse këta me nder politikanësh janë shkaktarët kryesorë të shkatërrimit të shtetit në këtë vend në breg të Adriatikut. Është bash kjo arsyeja që politikanëve shqiptarë duhet t’u vijë turp (nëse ka mbetur ndonjë fije), kur flasin në emër të popullit. Sot ka ardhur koha që shqiptarët përmes votës të ndryshojnë krejtësisht gjithë racën e politikanëve. Sepse kjo racë me moshë 30 vjeçare i ngjan krejtësisht mizës së kalit që vetëm ka arritur të ndotë ajrin e këtij vendi. Ndaj duhet larguar sa më shpejt nga skena, si një mundësi që shqiptarët të nisin një jetë të re, të pastër nga mizat e kalit.

 

Dhe në çastet e fundit, këta politikanët tanë nuk reshtin së mashtruari. Dorëzuan mandatin dhe deputetët thanë: “dhamë dorëheqjen se kështu na kërkuan qytetarët”. Qytetarëve, as u ka shkuar mendja t’i pyesin për ndonjë gjë. Pasi kanë marrë mandatin, ata i gjen çdo ditë mejhaneve të Tiranës duke pirë uiski dhe duke plotësuar shërbimet se janë pranë zgjedhësve. Kur në shumë qytete tregojnë se, “deputetin nuk e kanë parë që kur mori mandatin”. Thjesht me dorëzimin e mandateve i treguan Evropës se ende nuk ia kanë idenë e mësimit si mund të organizojnë vetëqeverisjen. Dhe Evropa, për veprimin e tyre mbajti shënim. Sepse ajo e kuptoi se, edhe këta palo deputetë janë thjesht skllevër të kryetarit – mbret të Partisë. Dhe si skllevër, pjesa më e madhe nuk di të bëjë tjetër. Vetëm pak prej tyre treguan se kanë mundësi t’i shërbejnë edhe popullit. Pavarësisht çfarë bënë disa prej tyre, tashmë hapja e negociatave për pranimin në BE për Shqipërinë është rrezikuar seriozisht. Askush nuk do të fusë në banesë, anëtarë që nuk ia kanë idenë e vetëqeverisjes. Po që dinë vetëm të plaçkisin kë të mundin.

 

Në mënyrën më groteske ndokush thotë se, parlamenti duhet shpërndarë. Pse? Se iu tek dikujt qoftë ky edhe Lulzim Basha, që i urdhëroi ushtarët e tij të ikin. Në fund të fundit, për gjithçka vendos populli. Edhe pse i varfëruar, populli ende nuk e di pse deputetët e tij grisën mandatet? Disa vodhën votat? Është qesharake. Pasi në Shqipëri, gjithnjë ka patur vjedhje votash. Po asnjëherë nuk kemi parë deputetë që janë larguar për këtë shkak. Mos na tregoni përralla. Te ne keni vjedhur vota të gjithë, edhe PSD, edhe PD, edhe LSI, edhe... dreqi me të birin. Për këtë, populli tregon gjithnjë anekdota me mbushje e zbrazje të kutive të votimit. Jemi klasë qesharake, po mos u tregoni edhe klasë budallaqe.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0