Home | Opinion | Gërmadhat

Gërmadhat

image
S’ka nevojë të kërkohen gërmadhat në kufirin me Shqipërinë...

 

 Nga Flaka Surroi

 

Kosova nuk mund të ndryshojë, përderisa me të udhëheqin njerëzit që e kanë marrë pushtetin qe njëzet vjet dhe nuk e lëshojnë nga dora. Nuk mund të ecë përpara, përderisa fqinji i saj verior ia shet fabrikën e pllazma-keksit Coca-Colas, e cila do t'i plasojë produktet e saj në të gjithë rrjetin e McDonaldsit nëpër botë, ndërsa investitorët në Kosovë vijnë dhe ilegalisht hapin hidrocentrale duke i shkelur krejt ligjet e mundshme për asgjë në këmbim

 

U mbajt takimi Bërdo-Brione në Tiranë, me pjesëmarrje të shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shumë e kritikuar prania e kryetarit të Republika Srpskas, Milorad Dodik. Doli Meta për të thënë se pjesëmarrja e tij ishte e domosdoshme për shkak se sivjet Dodiku ishte kryesuesi i radhës i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, pra e pashmangshme nga aspekti procedural. Pra, teknikisht Meta ka pasur të drejtë. Por, shpirtërisht, prania e Vuçiqit dhe e Dodikut në Tiranë irritoi jo pak njerëz, aq sa VV-ja në Shqipëri organizoi protestë kundër tyre.

 

Nejse, kaloi takimi, u mbajtën fjalime, dëgjuam broçkulla dhe u shpërndanë.

 

Njëri nga ata që e përdori Samitin për të bërë luftë fjalësh me Haradinajn qe Rama, i cili qëmoti ka harruar se gjuha plot ofendime, sado elokuent që do të mundë të tingëllojë, nuk i bën nder postit që e mban e as popullit që e përfaqëson. E, atypari, edhe një tjetër e shfrytëzoi Samitin për ta përsëritur veten, për të gënjyer sërish për Luginën, dhe më në fund për të deklaruar sesi ky do të jetë njeriu i cili do t'i eliminojë gërmadhat e quajtura kufij ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

 

Gënjeshtari institucional

 

Kur me muaj i përcjell sjelljet dhe gjestet e Thaçit, më shumë bindesh për nevojën që ka për t'u treguar si i pazëvendësueshëm dhe si faktorin, pa të cilin asnjë vendim nuk mund të merret për dhe rreth Kosovës. Është njëfarë sindrome që e shtyn që të japë deklarata aq të kundërta që njeriu në fund nuk e di se për cilën e pati përnjëmend, e cilën për rrenë, apo që të dyja i shqipton pa u shqetësuar fare, ngase ka nisur t'u besojë gënjeshtrave të veta, që e përbëjnë fjalorin e tij bazik politik.

 

Sërish foli për bashkimin e Luginës, natyrisht pa përmendur se çfarë do të duhej të jepte Kosova në këmbim. Dhe me t'u kthyer prej Tiranës e shkroi një postim në FB, ku tha se do të bëjë çmos që rrënojat, d.m.th. kufirin me Shqipërinë, t'i eliminojë krejt. E edhe me këtë rast e tha një rrenë: sepse nuk ka më shumë se katër muaj që e ka nënshkruar një dekret me të cilin e ka vulosur marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, me ç'gjë u pezulluan të gjitha veprimet që kishin paraparë heqjen e tyre të plotë.

 

Në situatën kur Shqipëria është shtet kandidat për t'u anëtarësuar në BE, e fundit që do të mundë t'i shkonte kujt në mendje është se tash Shqipëria do t'i hapte kufijtë. E përderisa Shqipëria ta mbajë këtë status, Thaçi mundet veç të shkruajë statuse në FB për thyerjen e kufijve shqiptarë.

 

Insistimi për këtë temë dhe për të vazhduar të jetë kryenegociatori i padeleguar në procesin me Serbinë e ka arsyetimin aty ku e ka pasur nga fillimi: frika nga Gjykata Speciale. Pra, të bëhet aq i domosdoshëm, sa të mos mundë ta marrin, po qe se u bie ndërmend ta thërrasin.

 

Tribunali i Ktysë

 

Ndërkohë, derisa Thaçi e luan rolin e kryetarit të gjithëfuqishëm, pa asnjë reagim nga Kuvendi i ngathët, Veseli e ka nisur fushatën e vet për tribunalin ndërkombëtar për krimet që i kanë bërë serbët në Kosovë. Siç e kanë përmendur jo pak njerëz, kjo nismë vjen shumë, shumë vonë, dhe sërish e ka bazën te frika nga Gjykata Speciale, të cilën vetë partia e këtyre të dyve, bashkë me partitë e tjera, e kanë themeluar. Me gjasë kanë menduar se do të mundë ta mbajnë nën kontroll, e mbase edhe kanë menduar se tashmë që kanë kaluar 20 vjet, nuk do të ketë bazë për ta përndjekur askënd, ngase provat dhe dëshmitarët veniten me kohën. Por duket se hesapet nuk po u dalin.

 

Ka thuajse një muaj që kjo është tema kryesore me të cilën merret kryeparlamentari, dhe në ditën kur e tha në Kuvend, puna e parë që më shkoi në mendje qe Tribunali i Hagës, i cili qe themeluar mu për këtë arsye: për t'i ndjekur kriminelët e luftës, prej të cilëve pjesa më e madhe kanë qenë serbë. Por ja që njerëzit tanë, posaçërisht ata që e kanë mbajtur pushtetin në të gjitha format që prej atëherë, nuk kanë pasur kohë për t'u marrë me mbledhjen e dëshmive, sepse prioritet e kanë pasur me "nxân" krejt çka iu ka dalë para syve.

 

E përderisa flet për drejtësinë që kurrë nuk fitoi te rasti i të gjitha atyre viktimave të luftës në Kosovë, ai nga ana tjetër, si shef partie, organizon madje edhe deputetët e tij që të krijojnë obstruksione përherë edhe më të mëdha ndaj drejtësisë që duhet të ngadhënjejë në vend.

 

Dëbimi i paautorizuar, i paligjshëm dhe çnjerëzor i gjashtë shtetasve të huaj që është subjekt hetimi i një komisioni parlamentar, nuk ia del as t'i afrohet fundit, për shkak se fillimisht deputetët e tij refuzojnë të hyjnë në sallë që ta krijojnë kuorumin, e më pas ndihmojnë, siç bënë në rastin e Thaçit, që as Maxhuni të mos e thotë të vërtetën për ngjarjen, por që madje edhe të shpotitet me ata që e merrnin në pyetje.

 

Dhe thuajse të gjitha punët i kemi në dyzen, tash çohet e shkon në Venecie, në Bienale, për të na treguar se dert nuk e ka për atë që po ndodh në Kosovë. Me rëndësi "kultura".

 

Ndërkohë në Kosovë

 

E ndërkohë në Kosovë ndodh që Prokuroria Speciale ka hequr dorë nga hetimi i Telekomit, duke e deleguar këtë punë te Prokuroria Themelore. Arsyeja është shumë e thjeshtë: aksionari kryesor i kësaj ndërmarrjeje është Qeveria, pra për pasojë, krejt vendimet në lidhje me këtë ndërmarrje, e që e kanë sjellë në këtë derexhe, janë marrë kryesisht në kohën kur kryeministër ka qenë Thaçi. E nëse Specialja nuk e ka guximin për me u marrë me të, si do t'ia bëjë Themelorja?

 

Nuk ia bën, ashtu siç nuk e ka bërë kurrë asnjëherë asnjëra prokurori. Edhe kjo lëndë do të mbarojë e parashkruar, ndërkohë që kompania do të falimentojë dhe do të shitet (lexo falet) për pak para.

 

Gjithashtu, ndërkohë, Auditori i Përgjithshëm i ka vërtetuar ato për të cilat ka shkruar gazeta para një kohe: shpërdorimin e milionave në Ministrinë e Bujqësisë në kohën e Rikallos ministër. Sikurse edhe shumë herë të tjera, dokumentet e dala nga auditorët do të mbesin në sirtarët e Prokurorisë, posaçërisht nëse vjen urdhri nga lart se kjo lëndë duhet harruar dhe se përfituesit nuk duhen prekur. Si përherë...

 

E që kjo të mos duket boll, pardje gazeta i zbuloi dy gjëra e që i bëri publike. E para, që kësaj qeverie iu deshën tre muaj për t'i shpenzuar 2 milionë nga fondet rezervë, prej të cilave 500 mijë u ndanë për shënimin e përvjetorit të Pavarësisë, për të cilën punë ende nuk pamë raport financiar të detajuar; më pas nja 100 u dhanë për një park në Luginë (më mirë të kishin shkuar për libra, apo për ndonjë bibliotekë) edhe nja 180 mijë euro për një film, ndër të tjera. Që të gjitha kanë mundur të planifikoheshin me buxhet e t'u shpërndaheshin ministrive, por jo, u vendos të veprohet me mjetet e rezervave, nga të cilat kanë mbetur edhe nja 2,8 milionë. Të shpresojmë se nuk do të kemi ndonjë emergjencë ku do të duhej të përdoreshin këto mjete.

 

E dyta, dhe që do të duhej të ishte shumë e frikshme për Kosovën, është futja e Kosovës në borxh të brendshëm, por edhe të jashtëm. Sivjet Qeveria e ka ndërmend t'i marrë 193 milionë hua ndërkombëtare, ndërkohë që ka vendosur të lëshojë letra me vlerë në shumë prej 135 milionësh. Me këtë borxhi shtetëror i Kosovës do të mbërrijë në 1 miliard e 418 milionë, të cilin, në kushtet në të cilat operon, do ta ketë shumë vështirë që ta përballojë.

 

Tash, sinqerisht në këtë ekonomi të dërrmuar që mezi mbijeton, nuk e kam të qartë se kush janë ata guximtarë që marrin bono dhe letra me vlerë një, dy dhe pesëvjeçare. Norma e interesit nuk është aq e madhe, dhe pyetja është se me çka garanton shteti kthimin e këtyre parave. Jam më se e sigurt se nuk kemi rezerva ari, meqë nuk jemi në gjendje ta ruajmë as fondin rezervë të vitit buxhetor.

 

E besoj se ekonomistët do të duhej të merreshin shumë seriozisht me këtë çështje. Unë nuk e di, pra edhe nuk mund të paramendoj se çfarë do të jenë efektet e një borxhi të këtillë që artificialisht do ta mbajë këtë mirëqenie minimale (mirëqenie i thënçin), porse nuk ka sesi të mos më shkoj mendja tek ish-Jugosllavia dhe borxhi i jashtëm 22-miliardësh që në fund, ndër të tjera, e shkatërroi shtetin. Nëse kjo është ideja e zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk po shoh se kemi ndonjë perspektivë të ndritur.

 

* * *

 

S’do të lodhemi së përsëritur se Kosova nuk mund të ndryshojë, përderisa me të udhëheqin njerëzit që e kanë marrë pushtetin qe njëzet vjet dhe nuk e lëshojnë nga dora. Nuk mund të ecë përpara, përderisa fqinji i saj verior ia shet fabrikën e pllazma-keksit Coca-Colas, e cila do t'i plasojë produktet e saj në të gjithë rrjetin e McDonaldsit nëpër botë, ndërsa investitorët në Kosovë vijnë dhe ilegalisht hapin hidrocentrale duke i shkelur krejt ligjet e mundshme për asgjë në këmbim.

 

Nuk mund të ecim përpara përderisa as firmat më të mëdha nuk mund të çojnë kokën lart nga kreditë e majme që u shërbejnë për qarkullim e paga, për të mos i përmendur të mesmet dhe të voglat që mezi i lidhin fijet. E vetmja gjë e mirë në gjithë këtë fatkeqësi është se Kosova nuk ka valutë të veten dhe fuqinë e emisionit të parave, se moti kishim qenë duke u bërë miliarderë për çdo ditë, pronarë të bankënotave të zhvlerësuara nga inflacioni.

 

E ndryshimi nuk do të vijë vetë, edhe nëse Specialja ia nis seriozisht me punën e vet. Nuk do të vijë, përderisa kemi politikanë që kënaqen me nga një status në FB në ditë, e nuk do të ndodhë pa pasur dikë që vjen e investon para pa frikën se për të hyrë në Kosovë fillimisht duhet dhënë tallin.

 

S’ka nevojë të kërkohen gërmadhat në kufirin me Shqipërinë. Ne jetojmë përditë në të dhe me të, me ekonominë e mjerë, të shkatërruar nga ata që lidhje me shtetbërje nuk kanë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0