Home | Literature | Oda e Vjeshtës

Oda e Vjeshtës

image
Duke ëndërruar qyrkun e diellit, mbyllur në qyrkun e zbërdhulët të diellit, duke ëndërruar gravurën e shirave.

 

 

Nga Gazmend Krasniqi

 

 

Hesht, atëherë, vjeshtë, shpirt i lodhur së vuajturi e dëfryeri: mbaj vesh e s’më arrin as zëri nëse do shkrijë shiu të shkrifëtat lamtumira dhe sfilitjet e gjetheve, ku ngjeshin të fundmen frymë pareshtur, as zëri nëse ka ankth a paqe për shqisat e ndera, kur fare papritmas, o era, o shiu, o ndoshta njëherësh, i kthejnë tjetër fletë hapësirës.

Fletë nuk ka, a nuk dinë ku janë – e shkurtra rrugë e gjethit shpjegon se thelbi, jo stina, përpirë nga ardhje e ikje e reve, bëhet dihatje e dimërt dielli, erë kalitur me tinguj kambanash që zemrën telkëputur e quan një gur në shenjë të gjakut të zbutur si bisha, bëhet heshtja mbi pisha, ku moshë e ngulmët shpalos pafund kohë pakthim: atdheut q'u përket, t'u kthehen ç’i janë botës trishtimi -

Ngulur te gravura makute e shirave, duke ëndërruar qyrkun e diellit, mbyllur në qyrkun e zbërdhulët të diellit, duke ëndërruar gravurën e shirave.

Ku lypëm ca zogj të lodhur amshimi, vetëm të ikshmit shpirtra. Sizif fillimi s'ka më: sa thellë, sa ngulmët fytyrën e dytë të gjërave ruan kujtesa, relikte ku ikën sërish kuptim pafundësie -

Dhe çdo mendim që është edhe një qoshe e fshehtë, dhe çdo fjalë që gjithashtu është një maskë.

Vetëm akorde sendesh që shkundin besimin se bota shkon të mbyllet në libër që Zoti vetë në ëndërr e pa. Një Zot i hapërdarë, që çohej peshë te pamje që para shikimi shkojnë e vijnë, a adhuruar nga gërmadha zemërrrahjesh, përtej së mirës e së keqes: e gjitha çfarë dihet mbi tokë e nuk shihet, e gjitha çfarë u dashka ditur e s’mund të paraqitet –

Vetë pyetja që s’mund t’i shmangemi: të mbyllim sytë apo kemi përpara ditë të mëdha!

Megjithatë, unë e ti ecim si somnambulë. Fëmijët e lodhur në lojë flluskash prapë shohin ylberë në ëndrra. Ti prapë je stina që u flet ditëve të ardhshme si vënë në dyshim të vërtetën, si qeshin, si plasin pastaj në hiçin e zbrazët. 

Na gjen aq të kapitur, prandaj na pëlqen. Kur vjen edhe më e bukur, dhe pse më plakë. Gjithnjë po aty, gjithnjë gati për të dhënë shpirt.

Hesht, atëherë, ndoshta më pëlqen ngaqë asnjë zë s’më arrin dhe unë kundroj botën me sy të përtharë nga vera.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00